Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka reaguar ndaj njoftimit se Donald Trump dhe Vladimir Putin do të takohen në Budapest për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Takimi i planifikuar midis presidentëve amerikanë dhe rusë është një lajm i shkëlqyer për popujt paqedashës të botës”, ka shkruar Orbán në një postim në X të enjten. “Ne jemi gati!”.
Trump tha se ai dhe Putin kishin zhvilluar një telefonatë të gjatë më herët gjatë ditës, në të cilën “u bë përparim i madh” dhe të dy udhëheqësit ranë dakord të takoheshin në kryeqytetin hungarez.
Samiti i Budapestit do të pasojë një raund fillestar takimesh midis Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio dhe homologëve rusë javën e ardhshme në një vend që do të përcaktohet, tha presidenti amerikan.
Telefonata me Putinin erdhi përpara takimit të planifikuar të Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se shpreson të bindë Uashingtonin të sigurojë raketa Tomahawk dhe sisteme të tjera armësh që do t’i mundësojnë Ukrainës të sulmojë më thellë në Rusi.
Kujtojmë se presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se biseda e tij e fundit me telefon me Vladimir Putinin ishte “shumë produktive” dhe se është bërë “përparim i madh” me udhëheqësin rus.
Ai thotë se Putin e përgëzoi Trumpin për “arritjen e madhe të paqes në Lindjen e Mesme, diçka që, tha ai, është ëndërruar për shekuj”.
Trump theksoi se të dy udhëheqësit folën gjithashtu për tregtinë midis SHBA-së dhe Rusisë kur të mbarojë lufta në Ukrainë. /Telegrafi/