Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dalë me një reagim lidhur me kandidaturën e tij për të parin e komunës, pasi Petrit Hajdari nga kjo parti njoftoi publikisht se do të kandidojë po ashtu, transmeton Klankosova.tv.
Pa përmendur emra, Lladrovci e thumboi Hajdarin, duke thënë se “Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë”, i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron”. Kjo pasi, sipas tij, si asnjë degë e PDK-së në Kosovë, dega në Drenas kishte ballafaqime mjaft sfiduese.
Ai tha se uniteti në degën e PDK-së, ishte i konfirmuar me zgjedhjet nacionale dhe po ashtu vendimi i Kryesisë të Degës së PDK-së më 9 qershor 2025, ku 41 ishin për kandidaturën e tij për kryetar komune edhe një mandat.
Postimi i plotë:
Qytetarë dhe media të nderuara,
Pas shumë thirrjeve tuaja dhe pyetjeve nga mediat, rreth kandidaturës time për kreun e komunës së Drenasit, theksoj si vijon:
Kam qenë dhe mbetem kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, i përkushtuar për të vijuar me projektet dhe punën që po e bëjmë në pajtim me mandatin dhe mundësitë që i lejon ligji.
E kam deklaruar se është në dorë të Kryetarit Krasniqi dhe Kryesisë së PDK-së të bëj emërimin zyrtar të kandidaturës time si përfaqësues i PDK-së, si themelues i PDK-së, ish deputet dhe kryetar i komunës nga viti 2016, gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë nga shtatë vitet e ekzistencës së garës për performancën komunale.
Komuna e Drenasit ka marrë edhe Çmimin Evropian për Qeverisjen e Shkëlqyer në Shkup, të mbështetur nga ALDA, Këshilli i Evropës dhe Qendra e Ekspertizës për Qeverisjen e Mirë, me arritjen e nivelit të lartë të qeverisjes së mirë, të krahasuar me 12 standardet e Këshillit të Evropës.
Pres që Kryetari dhe Kryesia e Partisë, të marrin në konsideratë traditën dhe përvojën e deritashme të zhvillimeve pozitive në parti, të çmojnë meritokracinë dhe vendimi të jetë i bazuar në vepra. Unë, me qeverisjen time e kam bërë PDK-në krenare, me vlerësimet e performancës, ku marrin pjesë institucionet vendore e ndërkombëtare.
Për këto vite të qeverisjes së mirë, asnjë nga zyrtarët apo drejtorët e komunës nuk ka as akuzë e as dënime për punën në komunë, ashtu siç unë nuk kam asnjë akuzë e as dënim gjatë qeverisjes së shkëlqyer, duke qenë qeverisje lokale me duar të pastra.
Vendimi i Kryesisë të Degës së PDK-së më 9.6.2025 ishte i qartë, 41 ishin për kandidaturën time për kryetar komune edhe një mandat, një kundër dhe një abstenim, prandaj, është rast për reflektim brenda strukturave dhe vullnetin politik të nivelit lokal.
Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë”, i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron, sepse, si asnjë degë e PDK-së në Kosovë, Dega në Drenas kishte ballafaqime mjaft sfiduese. Uniteti në degën e PDK-së, ishte i konfirmuar me zgjedhjet nacionale, duke arritur 19.614 vota, si asnjë herë më parë. Qytetari i komunës së Drenasit i nderon veprat, andaj, në qetësi mirëpres vendimin e Kryetarit Krasniqi dhe të Kryesisë së PDK-së.
Gjashtë herë Drenasi është komuna me qeverisjen më të mirë, transparente e llogaridhënëse, besoj fort se do të shpallemi kampion edhe për herë të shtatë, tetë, nëntë e dhjetë…
The post Lladrovci: Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë” i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron appeared first on Klan Kosova.