Aktgjykimi i Apelit përmes të cilit Milosh Pleskoviqit, të dënuarit për krime lufte në Prizren, iu zbut dënimi në 10 vjet burgim, ka shkelur familjen e viktimave. Kështu pohon avokati i familjes Daçaj, Gent Gjini.
Sipas tij, nëna e Reshatit dhe Binakut, binjakëve që u vranë e u masakruan më 1 shtator të 1998-ës në malin afër shtëpisë së tyre, kërkoi që i akuzuari të dënohet me burgim të përjetshëm.
Argumentet me të cilat gjykata e shkallës së dytë e ka mbështetur aktgjykimin e saj për t’ia zbutur dënimit Pleskoviqit, sipas avokatit, janë skandaloze.
Mbrojtësi i viktimave paralajmëron se do të ankohen në Gjykatën Supreme që Pleskoviqi të dënohet përjetësisht.
Për pakënaqësinë e tyre lidhur me aktgjykimet për vrasjen dhe masakrimin e vëllezërve Daçaj dhe Fatmir Bojaxhiut, familjet e viktimave duan ta njoftojnë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, të cilës i kanë kërkuar takim.
E nëse as e para e vendit nuk reagon, e Supremja nuk e merr për bazë ankesën e tyre, familja Daçaj planifikon që drejtësinë ta kërkojë edhe në Gjykatën e Tribunalit të Hagës.


