Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova ia ka vazhduar edhe për një vit detyrën gjyqtarit Gilbert Bitti, si gjyqtar i vetëm për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit ndaj Salih Mustafës për zhdëmtimin e viktimave.
Vendimi është marrë më 18 shkurt 2025, me të cilin parashihet se ngjashëm si vitin e kaluar, detyra e gjyqtarit Bitti do të zgjasë për një vit, thuhet në vendimin e DHSK-së.
Aktgjykimi ndaj “CALIT” në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.
Mustafa kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Gjykata e Apelit të Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Më pas, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 14 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e Speciales që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Derisa, më 29 korrik 2024, Supremja e miratoi pjesërisht kërkesën e Mustafës dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të Apelit lidhur me dënimin prej 22 vitesh burgim, duke kërkuar një dënim të ri për të pandehurin.
Në shtator 2024, Apeli në rivendosje e dënoi Mustafën me 15 vite burgim.
Më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Kur u vendos në Apel për këtë rast, nuk u shqyrtua fare urdhri për zhdëmtim, pasi sipas trupit gjykues, pala nuk e kishte apeluar atë.
Më 27 shtator 2024, Mustafa ka paraqitur kërkesë në Kushtetuesen e Speciales lidhur me të drejtat e tij si individit për të cilat mendon se janë shkelur.
Aktualisht, rasti i Calit është sërish në Supreme pasi ai ka ushtruar ankesë ndaj vendimit të Apelit, i cili e dënoi me 15 vjet burgim.
Aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>