E premte, 13 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeRasti "Banjska", dëshmia e policit: Shpërthimi më humbi balancin, sulmuesit ishin afër

Rasti “Banjska”, dëshmia e policit: Shpërthimi më humbi balancin, sulmuesit ishin afër

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar sot procesi gjyqësor për rastin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar. Në këtë seancë është dëgjuar dëshmia e zyrtarit policor Elez Peci, i cili rrëfeu momentet dramatike të natës tragjike ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Peci tregoi për rrethanat në të cilat kishte nisur operacioni dhe momentet që paraprinë sulmin.

“E nderuara gjykatë, jam shumë shumë i lënduar shpirtërisht me humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Më 23 shtator plani operativ ka qenë 12 orësh për shkak të situatës. Si çdo herë rreshteri Afrim Bunjaku e ka bo orarin se kush ku punon. Si zakonisht kemi fillua me patrulla. Deri në orën 2 kemi qenë nëpër terren së bashku me Fahri Shalën. Diku rreth orës 2 jemi kthye në stacion”, ka deklaruar Peci.

Ai tregoi se kishte marrë urdhër nga rreshteri Bunjaku për të shkuar në drejtim të fshatit Banjskë, pas njoftimit nga NJNSH për një bllokadë rrugore me kamionë.

“Nëpërmjet radiolidhjes është njoftua dhoma komanduese nga njësia NJNSH se në fshatin Banjskë mbi urë janë vendosur dy kamionë, u blloku rruga. Rreshteri i ndjere Afrim Bunjaku na ka ftua mua, Fahri Shalën dhe Sadat Dushin, na ka dhënë detyrat dhe jemi pajisur. Unë kam qenë në automjet me rreshterin Afrim Bunjaku”, tha ai.

Gjatë rrugës, kishin ndaluar një automjet në të cilin kishin gjetur një antenë të Policisë së Kosovës, por kishin vazhduar më tej pasi personi nuk ishte në kërkim.

Më tej, Peci përshkroi detajet e sulmit të dhunshëm dhe momentin kur ndodhi shpërthimi që tronditi zonën dhe mori jetën e rreshterit Bunjaku.

“Në atë moment ka ndodhë një detonim shumë i fortë, aq i fortë sa ma ka humbur edhe bilancin. E kam marrë vetën por kanë pasuar te shtëna armësh, të kalibrave të ndryshëm. Kur e them këtë, unë e kam të kryer shërbimin ushtarak, i njoh kalibrat… Ka pasë shtëna armësh në formë të hënës nga shkolla në anë të majtë deri te hoteli tash ku është Posta e Kosovës. Ka pasë sulmues shumë afër 10-15 metra”, dëshmoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT