Rasti “Albkings”, 7 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve

Rasti “Albkings”, 7 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues përmes të cilit të akuzuarit Arjan Tahiraj, Besart Ramabaja, Veton Alshiqi u shpallën fajtorë për rastin e njohur si “Albkings” dhe u dënuan me 7 mijë euro gjobë (së bashku).

Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësi, Fisnik Gashi.

Tahiraj u dënua me gjobë prej 2 mijë eurosh, kurse Ramabaja dhe Alshiqi me nga 2 mijë e 500 euro gjobë.

Gjykatësi njoftoi se të akuzuarit në rast se nuk paguajnë dënimin me gjobë, iu zëvendësohet me burg ku një ditë burg llogaritet për 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi njoftoi se pala e dëmtuar udhëzohet që realizimin kërkesës pasurore-juridike ta bëjë në procedurë të rregullt juridiko-civile, transmeton Klankosova.tv.

Të akuzuarit u shpallën fajtorë për veprën penale të “Ngacmimit”, ku Tahiraj dhe Ramabaja paraprakisht kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ndërkaq Alshiqi e ka pranuar fajësisë në Gjykatë.

Prezent në shpallje të aktgjykimit nuk ishin asnjëri nga të akuzuarit, si dhe askush nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.

Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, Nevzadi ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

The post Rasti “Albkings”, 7 mijë euro gjobë ndaj tre të akuzuarve appeared first on Klan Kosova.