E premte, 11 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajmeRasti “400 kilogramë kokainë”, mbrojtja vazhdoi kundërshtimin e provave të Prokurorisë

Rasti “400 kilogramë kokainë”, mbrojtja vazhdoi kundërshtimin e provave të Prokurorisë

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “400 kg kokainë”, mbrojtja ka vazhduar me kundërshtimin e provave të propozuara për administrim nga Prokuroria Speciale.

Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Faton Vrajolli, avokati Leotrim Syla, tha se provat e propozuara nga ana e PSRK-së janë prova që vërtetojnë vetëm faktin se kompania MC Food ka porositur mish nga Kompania “Seara” dhe ka ardhur një kontejner, ku përveç mishit ka ardhur edhe një pjesë e narkotikut dhe se me provat e prezantuara para kësaj gjykate, nuk ka vërtetuar diçka tjetër.

Ai tha se prokurori ka shkelur Kodin e Procedurës Penale për faktin se ka mbledhur prova në mënyrë selektive, të cilat i ka interpretuar në mënyrë subjektive duke i nxjerrë nga konteksti dhe duke i interpretuar në favor të dënimit, e patrajtuar në mënyrë të barabartë.

Po ashtu, Sheqiri propozoi që të bëhet përjashtimi i provave materiale të nxjerra nga telefoni i të mbrojturit të tij, Faton Vrajolli dhe të shpallen si të papranueshme.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi tha se Prokuroria e përdori dhe keqpërdori shqyrtimin që në opinionin publik të plasojë të vërtetën e tyre, e cila është në kundërshtim me vetë provat që ai në këtë fazë të procedurës i ka propozuar.

Ndërsa, i akuzuari Kadri Sheqiri tha se avokati i tij nuk i ka ngritur disa çështje që kanë ndodhur, ku ai ishte maltretuar për 7 muaj me radhë nga prokurori dhe grupe të jashtme dhe se tërë këto vuajtje i ka përjetuar ai dhe jo mbrojtësit e tij, për të cilat tha se dëshiron të dëgjohen edhe nga të gjithë të tjerët.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni tha se këto çështje i akuzuari Sheqiri i ka ngritur edhe më herët, por që nuk mund të adresohen në këtë shqyrtim gjyqësor pasi është një tjetër objekt shqyrtimi.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Brahimi, avokati zëvendësues Isuf Makolli, tha se kundërshtojnë mënyrën se si prokurori i rastit interpreton fakte e provat rrethanore, duke shtuar situata që nuk kanë ekzistuar fare, kështu duke qenë në kundërshtim me parimin e vërtetimit të drejtë të provave dhe situatave të paraqitura në këtë rast.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokatja Hydije Ahmeti tha se mbrojtja me vëmendje ka përcjellë administrimin e provave dhe se i kundërshton në tërësi, por që të njëjtat do t’i elaborojë në fjalën përfundimtare.

Prokurori i rastit, Valdet Gashi në lidhje me kundërshtimet e mbrojtjes janë vetëm supozime në raport me pretendimet e Prokurorisë.

“… madje në shumë raste edhe fakte si të pavërteta e që besoj që kjo gjykatë të njëjtat do t’i vlerësojë dhe do t’i cilësojë si të tilla”, tha prokurori Gashi.

Gashi tha se që nga fillimi i administrimit të provave, kur i është dhënë mundësia e mbrojtjes për kundërshtimin e provave, tha se e kanë kundërshtuar këtë mundësi pasi që bazuar në dispozitat ligjore është e qartë se kur mundet mbrojtja të paraqesë kundërshtimet lidhur me argumentet e Prokurorisë të paraqitura në aktakuzë.

Seanca ka vazhduar me propozimin e provave për administrim nga ana e mbrojtjes, ku fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Florent Latifaj tha se përmes një parashtrese me rreth 13 prova që ia ka dorëzuar Gjykatës, me të cilat tha se do të vërtetohet fakti se qëllimshëm apo jo, Prokuroria ka tentuar të shtrembërojë faktet e rastit në fjalë.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Faton Vrajolli, avokati Leotrim Syla ka propozuar disa prova për administrim, e gjithashtu tha se pretendimet e Prokurorisë në aktakuzë dhe gjatë elaborimit të provave janë të kundërshtueshme lehtë me prova konkrete edhe pse si mbrojtje konfrom ligjit nuk e ka barrën e vërtetimit të pafajësisë pasi që e prezumon ligji.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi tha se mbështet propozimet e avokatëve të tjerë dhe se do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarve, pasi që aktakuza nuk ka arritur që sipas parimit akuzator ta vërtetojë fajësinë e këtyre të fundit.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Brahimi, avokati Driton Musliu tha se mbështetë propozimet e avokatëve paraprak.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Fehmi Bytyqi, avokatja Hydije Ahmeti, tha se nuk kanë propozime të reja.

Kurse, prokurori Gashi tha se përkitazi me propozimet e mbrojtjes, do t’i paraqesë me shkrim kundërshtimet e tij.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi”, ka raportuar ekskluzivisht për dosjen e Prokurorisë lidhur me këtë rast, ku akuzohet pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, si dhe Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

Bashkë me pesë të akuzuarit, në këtë rast akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre ishte veçuar.

Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dënuar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale.

Në këtë aktakuzë, Prokuroria ka propozuar të konfiskohen 400 kilogramë kokainë, makina, armë e rreth 26 mijë eurove. /BetimipërDrejtësi

The post Rasti “400 kilogramë kokainë”, mbrojtja vazhdoi kundërshtimin e provave të Prokurorisë appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT