Një pacienteje 16-vjeçare i është hequr me sukses një cistë gjigante në shpretkë në spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Ndërhyrja është kryer nga ekipi kirurgjikal i këtij spitali nën udhëheqjen e mjekut Rifat Dreshaj, transmeton Klankosova.tv.
Detaje të hollësishme rreth këtij rasti të rrallë ka dhënë edhe Dreshaj.
“Një vajzë e lindur në vitin 2009 është paraqitur për herë të parë në spital për shkak të dhimbjeve të barkut dhe një prominimi nën harkun brinjor të majtë. Gjatë ekzaminimit, u realizua ekografia e abdomenit, ku u vërejt një formacion cistik tumoral me përmbajtje jo homogjene në brendësi”.
“Për konfirmim të mëtejmë, u krye tomografia kompjuterike (CT) e abdomenit, e cila tregoi të njëjtin formacion me përmasa rreth 20×20 cm, të lokalizuar në shpretkë (lien). Pas përgatitjes së plotë preoperative – përfshirë analizat laboratorike dhe konsultat e nevojshme – pacientja u planifikua për ndërhyrje kirurgjikale”.
“Operacioni u krye nën anestezion të përgjithshëm. Gjatë ndërhyrjes u arrit të izolohej dhe të lirohej masa cistike, së bashku me shpretkën, e cila u hoq në tërësi, pa perforacion dhe pa dëmtim të organeve përreth si lukthi, pankreasi, koloni, veshka e majtë, apo ngjitjet me hemidiafragmën e majtë. Pacientja e përballoi mirë operacionin dhe anestezionin. Në fazën post-operative u trajtua në njësinë e kujdesit intensiv, me ecuri të mirë klinike. Materiali i hequr u dërgua për ekzaminim histopatologjik (HP) për verifikim të mëtejmë të natyrës së lezionit”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.
The post Rast i rrallë kirurgjikal, 16-vjeçares në Pejë i hiqet cista gjigante në shpretkë appeared first on Klan Kosova.



