Një raport i publikuar nga pakica demokrate në Komitetin e Senatit të SHBA-së për Marrëdhëniet me Jashtë ngre shqetësime për zgjerimin e ndikimit ekonomik të Kinës në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, në një kohë kur sipas raportit është dobësuar koordinimi strategjik i Shteteve të Bashkuara me aleatët në rajon.
Dokumenti kritikon qasjen e Donald Trump dhe administratës së tij ndaj aleancave tradicionale dhe institucioneve ndërkombëtare, duke argumentuar se mesazhet e paqarta ndaj Kinës dhe zbutja e llogaridhënies politike në Ballkanin Perëndimor kanë krijuar hapësirë për rritjen e ndikimit të Pekinit dhe gjithashtu të Rusisë në rajon.
Sipas raportit, Kina ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj ekonomike në vende si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.
Raporti thekson se Shqipëria është konsideruar prej kohësh një nga vendet më pro-amerikane në botë, por dinamika e tregtisë në vitet e fundit tregon një zhvendosje të dukshme. Ndërkohë që tregtia me Shtetet e Bashkuara ka pësuar rënie, shkëmbimet tregtare me Kinën kanë shënuar rritje të ndjeshme.
“Të dhënat e fillimit të vitit 2025 tregojnë se tregtia e Shqipërisë me Kinën u rrit me 23.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Po ashtu, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, importet shqiptare nga Kina u rritën gjithashtu me 23.5 për qind, duke theksuar një ndryshim në flukset tregtare dypalëshe”, thuhet në raport.
Sipas raportit, këto zhvillime tregojnë se ndikimi ekonomik i Kinës në rajon po zgjerohet gradualisht, ndërsa hapësira ekonomike dhe politike që dikur dominohej nga partneriteti transatlantik po bëhet gjithnjë e më konkurruese.
Sipas autorëve të dokumentit, nëse vazhdon kjo tendencë, besueshmëria e Shtetet e Bashkuara si partner strategjik në rajon mund të zbehet në një moment kur uniteti mes aleatëve perëndimorë konsiderohet jetik për sigurinë euroatlantike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


