Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, ka publikuar të premten Platformën Kombëtare të Rangimit, ku është prezantuar rangimi i universiteteve publike për integritetin akademik.
Në bazë të raportit, Universiteti i Prishtinës është vlerësuar i pari me 82.5 për qind për integritet akademik, pasuar nga Universiteti i Pejës me 54.9 për qind, Universiteti i Mitrovicës 47 për qind, Universiteti i Gjakovës me 46.5 për qind, Universiteti i Ferizajt me 45.1 për qind, Universiteti i Prizrenit me 44.2 për qind si dhe Universiteti i Gjilanit me 44.1 për qind, raporton KosovaPress.
Vlerësimi për integritetin akademik sipas ORCA-s është bërë mbi bazën e pesë faktorëve: transparencës, barazisë gjinore, raportit staf akademik-student, suksesit në akreditim si dhe justifikimit të titujve akademikë.
Drejtori ekzekutiv në ORCA, Dibran Hoxha, tha se platforma dhe rangimi i universiteteve publike nuk ka synim nxitjen e konkurrencës negative, por të kundërtën duke e vlerësuar si mjet që e rrit konkurrencën e shëndetshme në arsimin e lartë.
“ORCA nuk e nxit një lloj konkurrence në kuptimin negativ, që i shtyn universitetet në një konkurrencë jo të shëndetshme. Për këtë arsye, platformën e kemi cilësuar si një mjet që e rrit konkurrencën e shëndetshme në arsimin e lartë në Kosovë, kryesisht në universitetet publike që janë në interesin tonë dhe të shoqërisë”, tha ai.
Mirëpo, vërejtje karshi këtij raporti paraqiti rektori i Universitetit të Gjilanit, Artan Dërmaku, i cili tha se disa matje të raportit lënë shumë për të dëshiruar, derisa dha edhe disa sugjerime.
“Kjo formë kështu lë shumë për të dëshiruar, që mos të them se ka ndonjë keqpërdorim – që nuk e besoj – por mund të shkojë mendja andej. Tjetër, çka mendoj se duhet të merret parasysh për të ardhmen është se është mirë të shihen sa kanë buxhet universitetet publike në Kosovë. Nuk është normale që një universitet me pas katër milionë euro buxhet dhe një universitet tjetër me i pas 300 mijë euro. Pastaj ta fusësh këtë universitet tjetër në rangim, pasi kjo është një aspekt që ka rëndësi. Pastaj është edhe numri i profesorëve. Një universitet mund t’i ketë mbi 100 mësimdhënës dhe tjetri dyzet. Megjithatë, sasia e luan rolin e vet, prandaj kjo formë për mua nuk është e plotësuar dhe jotransparente”, tha ai.
Ndërkaq, drejtori i ORCA-s, Dibran Hoxha, i cili tha se të dhënat e ORCA-s janë të sakta pasi merren prej burimeve zyrtare.
“Një gjë që duhet ta dini me siguri është që të dhënat e ORCA-s janë gati në përkryerje të sakta pasi merren prej burimeve zyrtare. E para, te justifikimi: a është i përfshirë krejt stafi dhe a është brenda stafit. Sipas jush, ne e kuptojmë se përgjatë kohës që keni udhëhequr ju, stafi ka justifikuar titujt dhe gjithçka brenda avancimeve akademike është kryer brenda rregullativave të universitetit. Nëse justifikimi i një pjese të stafit është brenda normativave kur ju udhëhiqni universitetin, nuk mundeni të shfajësoheni për stafin paraprak, pasi ata aty mbajnë mësim dhe ligjërojnë. Me thënë që prej momentit që jam unë është në rregull, por ke staf që nuk kanë asnjë punim të vetëm – ju nuk po operoni brenda universiteteve paralele. Në Universitetin e Gjilanit ka profesorë që nuk e justifikojnë titullin, prandaj në totalin e matjes ata përbëjnë cilësi apo jo cilësi brenda universitetit”, tha ai.
Në anën tjetër, rektori i Universitetit të Pejës, Armand Krasniqi, tha se raportet e tilla janë të mirëseardhura dhe do të shërbejnë për t’u përmirësuar në të ardhmen.
“Të gjitha këto që i dëgjuam do të shërbejnë për neve që të përmirësohemi për të ardhmen. Ju thatë se kjo është pjesë fillestare, por të gjithë indikatorët janë të rëndësishëm për neve për përmirësimin tonë. Nuk kemi indikatorë shpesh kur ne e vlerësojmë vetveten, dhe është mirë që dikush në nivel nacional na orienton çka të bëjmë, pavarësisht disa rezervave të cilat nuk do t’i shfaq këtu”, theksoi Krasniqi.
Kurse, rektori i Universitetit të Gjakovës, Drilon Bunjaku, e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar si komponentë kyçe të universiteteve, meqë siç tha është kruciale për projekte ndërkombëtare dhe mobilitete.
“Askund nuk e pashë bashkëpunimin ndërkombëtar si një komponentë kyçe të universiteteve. Sa ka, të themi, projekte ndërkombëtare, mobilitete, elemente që po sheh sa po shkojnë jashtë stafi. Është një element tjetër i rëndësishëm, sepse kur shkojmë në asociacione të ndryshme ndërkombëtare, pyetja e parë është sa programe ofroni në gjuhën angleze. Ne aty jemi të kufizuar, po ashtu edhe në pyetjet se sa lëndë jepen në gjuhën angleze. Prandaj e shoh bashkëpunimin ndërkombëtar si një element që kish mundur të plotësoj më mirë këtë pjesë. Sa i përket akreditimit, nëse janë të dhënat e vitit 2024”, theksoi ai. /kp/