Raporti i IKD-së për Qeverinë Kurti: Moszbatim i vendimeve gjyqësore dhe abuzim me ushtrues detyre

Raporti i IKD-së për Qeverinë Kurti: Moszbatim i vendimeve gjyqësore dhe abuzim me ushtrues detyre

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin mbi qeverisjen e kundërligjshme dhe praktikën e mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre gjatë Qeverisë Kurti II.

Në këtë raport thuhet se Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë ndalojnë qartë që një person të mbajë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë.


“Megjithatë, shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë kanë vazhduar të mbajnë të dy funksionet, duke shkelur Kushtetutën dhe Ligjin. Kundërligjshmëria e kësaj praktike është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme, por pavarësisht kësaj, Qeveria jo vetëm që nuk ka zbatuar vendimin, por ka sulmuar publikisht gjyqtarët e saj”, thuhet tutje.

Sipas IKD-së, moslëshimi i zyrave të Qeverisë në detyrë nga personat që janë edhe deputetë të Kuvendit ka pasoja shumëdimensionale.

“Pos cenimit të sundimit të ligjit në Kosovë, kjo situatë ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës tek partnerët ndërkombëtarë, të cilat kanë theksuar se nuk do të zhvillojnë takime me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një qeveri me mandat të plotë. Në anën tjetër, në kuptim të vendimit të Gjykatës Supreme, të gjitha vendimet të cilat merren nga anëtarët e qeverisë të cilët janë edhe deputet, janë të kundërligjshme. Në pamundësi për tu atakuar secili vendim, kjo situatë e mbush rendin juridik me vendime të kundërligjshme”, thuhet tutje.

Sipas IKD-së, kjo situatë tërheq pas vetes edhe përgjegjësi penale, e cila përgjegjësi aktualisht është duke u shqyrtuar nga PSRK.

“Për më tepër, kjo situatë rrezikon të ketë implikime edhe në përzgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit. Në anën tjetër, Qeveria Kurti II është karakterizuar si qeveri me ushtrues detyre. Një numër i madh i pozitave janë mbajtur për vite të tëra nga ushtrues detyre, pa u zhvilluar procedurat e rregullta të rekrutimit. Gjykata Supreme ka theksuar se çdo pozitë e mbajtur me ushtrues detyre përtej afatit ligjor është e kundërligjshme dhe vendimet e nxjerra në këto rrethana janë të pavlefshme”, thuhet në raport.

Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se kjo praktikë, e kundërt me standardet ndërkombëtare të qeverisjes së mirë, ka dëmtuar meritokracinë, ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve dhe ka rritur potencialin për korrupsion.

IKD thekson se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm përjashtim, ndërsa proceset meritore të rekrutimit duhet të jenë rregull. /Telegrafi/