Rapid Bukureshti tentoi rikthimin e Albion Rrahmanit, por transferimi dështoi – zbulohen prapaskenat

Rapid Bukureshti tentoi rikthimin e Albion Rrahmanit, por transferimi dështoi – zbulohen prapaskenat

Aksionari i Rapid Bukureshtit, Victor Angelescu, ka zbuluar se klubi kishte zhvilluar bisedime për të rikthyer në skuadër sulmuesin e kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani, por marrëveshja nuk u konkretizua.

Në një prononcim për Prima Sport, Angelescu ka bërë të ditur se kontakti me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij kishte ndodhur në fillim të sezonit, por projekti i ri i Spartës së Pragës dhe besimi i trajnerit aktual te Rrahmani bënë që ai të qëndronte në Çeki.


“E provova sepse doja të shihja nëse ishte e mundur, ndonëse askush nuk besonte realisht se mund të ndodhte. Fola me menaxherin dhe me Albionin, por gjërat nuk shkuan më tej”.

“Më pas trajneri i Spartës u ndryshua dhe ai e donte lojtarin. Menaxheri më tha qartë se Rrahmani do të mbetej atje, pasi ishte pjesë e planeve të reja të klubit,” ka deklaruar Angelescu.

Albion Rrahmani, i cili iu bashkua Rapidit në vitin 2023 nga Ballkani, qëndroi vetëm një sezon në Rumani para se të transferohej te Sparta Praga për një shumë prej 5 milionë eurosh.

Në sezonin aktual, 25-vjeçari ka lënë mbresa me fanellën e klubit çek, duke realizuar tetë gola në 16 paraqitje në të gjitha garat, një kthesë e dukshme pas vështirësive që pati në formën e tij sezonin e kaluar./Telegrafi/