Ramabaja: PDK dhe LVV shohin përfitime nga epilogu i procesit gjyqësor në Hagë

Ramabaja: PDK dhe LVV shohin përfitime nga epilogu i procesit gjyqësor në Hagë

Sadri Ramabaja në Debat Plus ka komentuar takimet e Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt, të zhvilluara në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, ku nuk pati asnjë koment apo deklarim pas takimit.

Ai ka thënë se mosdeklarimi i tyre shkon përtej një takimi të zakonshëm.


“Për mua ka kuptim dhe hedh dritë mbi mundësitë e daljes nga situata duke iu kthyer rregullave të demokracisë liberale. Çfarëdo përpjekje për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit përmes bllokimit të institucioneve, respektivisht çfarëdo shprese se në pushtet në demokracitë liberale mund të vihet mes zarfeve, tashmë ka përfunduar”, ka thënë ai.

Sipas tij, zgjedhjet janë rrugëzgjidhja dhe duket se mund të mbahen, por në një moment kur të jenë më të përshtatshme dhe përtej organizimit të zgjedhjeve lokale.

“E kam fjalën për balotazhin që do të jetë. Për mua mendoj se do të jenë në dhjetor, por janë dy forca politike që do t’u konvenonte të hynin në vitin e ardhshëm… Partia Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Ramabaja.

Kjo, sipas tij, lidhet me procesin gjyqësor në Hagë.

“Secila prej këtyre dy forcave politike llogarit se epilogu i Gjykatës në Hagë mund ta favorizojë njërën, respektivisht tjetrën. Dhe kjo është arsyeja pse jam më i prirur të besoj se zgjedhjet mund të shtyhen nga fundi i janarit të vitit të ardhshëm, eventualisht në shkurt të vitit të ardhshëm”, ka theksuar ai.