Diella, shpikja e fundit e Edi Rames vazhdon te mbulohet nga një tis misteri. Por edhe pse nuk ka ende një sqarim nga ana e qeverisë se si do të funksionojë Ministrja e Inteligjencës artificiale, Kryeministri Rama në këto momente nuk e fsheh që po e shijon momentin, reklamën që Diella e tij ka “pushtuar”mediat ndërkombëtare.
“Unë kam vendosur 60 ministra dhe nuk edi sesa ministra të tjerë kam vendosur që nga dita e parë që kam qenë në detyrë, por askush nuk ka qenë subjekt i mediave ndërkombëtare ndërsa ky ministër që kam emëruar tani, kjo ministre e inteligjencës artificiale është në qendër të vëmendjes të të gjitha mediave ndërkombëtare. Kemi kërkesa çdo dite për të folur për të”, u shpreh Rama.
Në lançimin e Platformës Startup Albania, Edi Rama zbuloi se Diella do të jetë një ministre pa portofol, por nuk do të marrë vendime. Ajo vetëm do të përpunojë të dhënat.
“Ne do t’i marrim vendimet, pra ne nuk po i delegojmë asaj përgjegjësinë për të qeverisur apo përgjegjësinë për të marrë vendimet finale. Ne thjeshtë po i japim asaj përgjegjësinë të bëjë atë që ajo e bën më mirë se ne dhe ajo që bën më mirë se ne është të procesojë të dhënat në mënyrë shumë të shpejt dhe të na japë përgjigje shumë të shpejta”, shton kryeministri.
Vendime nuk do të marrë, por Rama i ka dhënë të drejtën që të “lindë” fëmijë robot, me të cilët do të paraqitet në pranverë.
“Besoj që ne pranverën e ardhshme ne do ta kemi këtu dhe mund t’i bëni dhe pyetje asaj vet. Kështu që, do të jetë me prezencë, me njohuri, me kapacitetin për të reaguar, debatuar, diskutuar dhe për të na thënë dhe gjera të reja që ne nuk i dimë sepse është me njohuri shumë të mëdha. Siç e anonçova disa ditë më parë, ministrja e AI mund të ‘’lindë’’dhe fëmijë dhe ne do ta diskutojmë këtë gjë, kë do sjellim atje nga ministrat e AI”, u shpreh Rama.
Rama paralajmëroi që muajin tjetër do të prezantohet një platformë me AI që kryejë punën e arkitektit. Një projekt që Kryeministri nuk e shpjegoi se si do të pajtohet me ligjet aktuale në vendin tonë.
“Nuk duhet të shkoni në një zyrë shumë të shtrenjtë për të marrë arkitektët në punë, t’i paguash për këtë, t’i paguash për atë inxhinierët, por shumë thjeshtë mund të keni shtëpinë në kompjuter dhe këtë platformë dhe të merrni një leje në bashki me këtë lloj plani. Kjo është reale, e prekshme. Në tetor do të prezantohet në tiranë dhe do të jetë në treg dhe në duart e gjithsecilit”, përfundon Rama.
Shefi i qeverisë beson që inteligjenca artificiale do të evitojë burokracitës si dhe të lehtësojë shpenzimet për qytetarët. /A2 CNN