Rama: Samitin e NATO-s në Tiranë do ta mbrojmë me dronë “Made in Albania”

news image

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se samiti i NATO-s që do të zhvillohet në vitin 2027 në Shqipëri do të mbrohet me dronë të prodhimit shqiptar.

Ai shtoi se përveç dronëve, Shqipëria do të prodhojë edhe makina ushtarake dhe uniforma.

 “Ne do prodhojmë makinat tona ushtarake dhe do t’i shesim botës makina ushtarake. Shteti shqiptar, Ministria e Mbrojtjes që dikur hidhte në erë njerëz sepse demontonte municione me fëmijë skllevër në një fabrikë vdekjeje dhe lejonte trafiqe, Ministria e Mbrojtjes do të jetë bashkëpronare e gjithë kësaj industrie dhe shteti shqiptar do fitojë para nga kjo industri. Ne do të prodhojmë të gjitha llojet e uniformave për të gjitha llojet e trupave. Më në fund do t’i prodhojmë pa tendera. Kompani vetëm me shtet-privat. Kompania jonë ka një emër të bukur, quhet Guna”, tha ai gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan.

Kryeministri u shpreh më 4 shtator se zgjedhja e Shqipërisë për të organizuar samitet evropiane dhe atë të NATO-s nuk është rastësi.

Ai paralajmëroi gjithashtu se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale për proceset e prokurimit.

“Mbaje mend çfarë po të them se nuk jam duke bërë fushatë se i kemi fituar zgjedhjet. Do të jemi vendi i parë që do të kemi prokurimet me inteligjencë artificiale në 95% të procesit. Prokurim me inteligjencë artificiale. Ne te prokurimet jemi të parët në rajon për gjithë modernizimin që i kemi bërë procesit. Mandati i 4 fillon me në tjetër risi që ministritë dhe ministrat nuk bëjnë më asnjë tender. Zero. Nuk bëjnë më. Nuk bëjnë tendera. Ministritë do të përqendrohen vetëm në politikëbërje. Kemi ndërtuar një sistem të prokurimeve të përqendruara që po jep rezultat dhe kemi miliona euro kursime”, tha Rama.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/