Rama për bashkimin kombëtar: S’mund të jetojmë me formula të shekullit 19 dhe 20

Rama për bashkimin kombëtar: S’mund të jetojmë me formula të shekullit 19 dhe 20

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për çështjen e bashkimit kombëtar, për të cilën tha se është tezë e cila ka vlerë vetëm për aq sa lidhet me Bashkimin Evropian dhe sinergjinë që krijohet nën qiellin e Bashkimit Evropian.

Rama tha se është e pamundur të përparohet në çdo drejtim në këtë aspekt pa krijuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare, e që sipas tij, s’ka asnjë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare të Kosovës.

“Është e pamundur të përparohet në asnjë lloj drejtimi në këtë aspekt pa krijuar besim dhe simpati të plotë ndërkombëtare. Kjo nuk bëhet se duam ne, por bëhet nëse ne kemi të gjithë miqtë e mjaftueshëm dhe aleancat e mjaftueshme për t’ia dalë”.

“Në këtë aspekt, fjala më e butë që mund të thuhet është se nuk ka asnjë progres. S’ka asnjë progres në aspektin e zgjerimit dhe forcimit të miqësive ndërkombëtare të Kosovës”, tha Rama në “Jehona politike” në Klan Kosova.

Tutje, Rama u shpreh se bashkimi kombëtar për të është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër, teksa shtoi se çdo gjë tjetër është përrallë.

“Bashkimi kombëtar, sipas meje, është vetëm bashkimi me Evropën dhe asgjë tjetër. Çdo gjë tjetër është përrallë që gjithkush mund t’ia tregoj vetes por nuk ka asnjë shans që ta sheh të realizuar në realitet”.

“Jetojmë në shekullin 21 dhe nuk mund të mendojmë në shekullin 21 me formula të shekullit 20 dhe lëre pastaj të shekullit 19 apo më përpara. Për mua, nëse flasim për bashkim kombëtar, flasim për Bashkim Evropian. Nëse flasim për bashkim kombëtar jashtë Bashkimit Evropian, jemi duke folur me vete dhe për vete por as për vete jo sepse është tërësisht një fantazi që s’ka lidhje me realitetin”, tha Rama.

The post Rama për bashkimin kombëtar: S’mund të jetojmë me formula të shekullit 19 dhe 20 appeared first on Klan Kosova.