Rama pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Kërkohet përgjigje ekstreme ligjore ndaj agresorit, duhet reflektim për sigurinë në gjykata

Rama pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Kërkohet përgjigje ekstreme ligjore ndaj agresorit, duhet reflektim për sigurinë në gjykata

Pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, në ambientet e gjykatës së Tiranës, ka reaguar Kryeministri Edi Rama.

Në një reagim publik, Rama ka shprehur ngushëllime për familjen e gjyqtarit dhe ka dënuar me forcë ngjarjen e rëndë.


“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit”, ka shkruar Rama.

Kryeministri ka theksuar se kjo tragjedi duhet të shërbejë për të reflektuar mbi sigurinë e brendshme të gjykatave dhe mbi mënyrën se si trajtohet armëmbajtja pa leje në vend.

“Kjo ngjarje kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit. Kjo ngjarje tragjike është argumenti më i pakundërshtueshëm për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal për dënimin e armëmbajtjes pa leje”, ka theksuar Rama.

Ai ka shtuar se duhet ndërprerë çdo tolerancë në proceset gjyqësore ndaj personave që mbajnë armë pa leje, duke kërkuar masa më të ashpra ligjore.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e sotme në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua me armë gjatë një seance gjyqësore. Nga të shtënat u plagosën edhe dy persona, babë e bir, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Kalaja nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.

Autori i krimit është arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Ai ka pranuar fajësinë dhe ka deklaruar para hetuesve se ishte “i detyruar të kryente aktin, sepse po humbiste gjyqin”.