Rama: Kosova duhet të bëjë detyrat e veta për BE-në, jo të merret me Serbinë

Rama: Kosova duhet të bëjë detyrat e veta për BE-në, jo të merret me Serbinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Kosova duhet të fokusohet tek kërkesat e Bashkimit Evropian për dialogun dhe integrimin, duke mos u ndalur tek qëndrimet e Serbisë.

Në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” të mbajtur në Vjenë, ku morën pjesë sipërmarrës nga mbi 25 vende të botës, Rama u pyet për Ballkanin e Hapur dhe për çështjet e pazgjidhura mes Kosovës e Serbisë.


Ai tha se është i trishtuar që nuk ka asnjë përparim në dialog, por nënvizoi se Kosova duhet të bëjë pjesën e saj.

“Kosova nuk duhet të mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet t’ia dijë çfarë bën Serbia. Duhet të bëjë detyrat e veta dhe t’ia dorëzojë Bashkimit Evropian fletoren e plotë të punëve të shtëpisë. Ky proces nuk lidhet me pranimin e asaj që kërkon Serbia, por me përmbushjen e kushteve që kërkon BE-ja,” tha Rama.

Ai theksoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka dështuar për shkak të formatit të gabuar, por insistoi që Kosova nuk duhet të humbasë kohë duke u marrë me Serbinë.

“Është në interesin e Kosovës të ecë përpara, pa u kushtëzuar me reagimet e Serbisë. Nëse nuk e bën këtë, do të vazhdojë të izolojë veten gjithnjë e më shumë, dhe kjo është për të ardhur keq,” shtoi ai.