Rama: Fshati Olimpik është realitet, do të jetë stadiumi, pishina olimpike e shkollat e futbollit

Rama: Fshati Olimpik është realitet, do të jetë stadiumi, pishina olimpike e shkollat e futbollit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zbuluar detaje të reja rreth përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare, duke theksuar se ka pasur përpjekje për ndërhyrje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e drejtuar nga Hajrulla Çeku, në përzgjedhjen e kompanisë fituese.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, Rama tha se procesi i përzgjedhjes së kompanisë për master-planin logjistik të lojërave është në zhvillim e sipër dhe pritet të përmbyllet në fund të nëntorit.


Ai shtoi se ndërhyrjet e pretenduara nuk kanë pasur ndikim vendimtar.

“Ka filluar procesi, është krijuar komisioni, është shpallur tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të zbatojë master-planin. Pritet shpallja e fituesit në fund të nëntorit. Po, kemi pasur intervenime nga ministria e Çekut dhe nga qeveria për të favorizuar dikë që ka tentuar të bëjë planifikime paraprake. Por, aty fiton më i miri dhe shumica vendos,” deklaroi Rama.

Ai po ashtu konfirmoi se Fshati Olimpik është tashmë një projekt i konkretizuar, i mbështetur nga master-plani ekzistues.

“Fshati Olimpik është realitet. Do të ketë stadiumin, pishinën olimpike, fakultetin e edukatës fizike dhe shkollat e futbollit. Kemi zhvillim fantastik, me oferta edhe nga sektori privat për ta financuar e zhvilluar, krahas 250 milionë eurove të ndara nga qeveria,” tha Rama.

Rama e cilësoi këtë projekt si një mundësi historike për transformimin e kryeqytetit dhe për zhvillimin e infrastrukturës sportive në Kosovë.

– YouTube www.youtube.com