Rama e akuzoi për bllokadë rreth mbeturinave, përgjigjet Ismaili: Problemi është keqmenaxhimi, jo buxheti

Rama e akuzoi për bllokadë rreth mbeturinave, përgjigjet Ismaili: Problemi është keqmenaxhimi, jo buxheti

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka reaguar ndaj akuzave publike të kryetarit aktual të komunës, Përparim Rama, i cili kishte thënë se PDK dhe njerëz afër saj kanë bllokuar kontratën për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

I ftuar në “Përballje Podcast”, Ismaili i quajti këto akuza të pabaza dhe i konsideroi si tentativë për të hequr përgjegjësinë nga qeverisja aktuale. Ai mohoi kategorikisht çdo përfshirje në bordin e ndërmarrjes “Pastrimi” dhe shtoi se as vetë e as partia e tij nuk kanë aksione apo ndikim aty.


“Unë nuk kam qenë pjesë e bordit. Pika e parë. As nuk kam qenë anëtar, as nuk kam pasur fuqi vendimmarrëse për të ndikuar në një proces të tillë. Nuk kam qenë kurrë aksionar në Pastrimin dhe as PDK-ja nuk ka aksione aty,” shtoi ai.

– YouTube www.youtube.com

Sipas tij, këto deklarata janë pjesë e një strategjie të njohur politike për të krijuar “fajtorë imagjinarë”, sa herë që mungojnë rezultatet konkrete.

“Tash po përdoret një narrativë që ‘po më bllokojnë’, por nuk mund të më bllokojë dikush që s’është në bord dhe s’ka asnjë lidhje formale me atë proces. Kjo është thjesht një shpikje për të mbuluar paaftësinë,” theksoi ai.

Sipas Ismailit, problemi kryesor nuk është tek fondet, por tek menaxhimi i dobët i ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Për 10 vite nuk është blerë asnjë kamion i ri për mbeturina. Sot Prishtina funksionon me automjete të vjetra, që prishen përditë. Nuk është problem i buxhetit – është mungesë e vizionit dhe e planifikimit. Në mandatin tim do të blejmë 60 kamionë modernë dhe do të sigurojmë që qyteti të jetë i pastër”, deklaroi ai.

Ismaili tha se “nuk ka më kohë për justifikime”, dhe se qyteti ka nevojë për një qeverisje që vepron dhe nuk fshehet pas arsyetimeve. /Telegrafi/