Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm në eventin prestigjioz “Forbes Global Properties”, një rrjet ndërkombëtar imobiliar që zyrtarisht ka hapur dyert në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal tek vlera e pronave të paluajtshme në Shqipëri, duke deklaruar se ato do të rriten ndjeshëm në momentin që vendi bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.
“Për 4-5 vjet ne do të jemi pjesë e BE-së dhe historia e anëtarëve të rinj na tregon që vlera e pasurive të paluajtshme pëson një rritje dyfish. Shumë njerëz nuk e kuptuan atë që po flisja dhe morën pjesën negative. Çdo familje shqiptare do ketë një pronë të vetën, që do të ketë një vlerë më të lartë në pak vite”, tha Rama.
Ai theksoi se Shqipëria ka një përqindje shumë të lartë të zotërimit të shtëpive nga qytetarët:
“Në një vend që ka përqindjen më të madhe që zotërohen nga njerëzit, 94%, është një përqindje e jashtëzakonshme, flasim për njerëzit me shtëpi. Është diçka shumë pozitive.”
Rama foli edhe për sfidat e strehimit të përballueshëm, duke e quajtur këtë “një pyetje legjitime”, ndërsa nuk munguan as batutat ironike për investitorët amerikanë të pranishëm në ngjarje:
“Jam shumë i nderuar që gjendem këtu, që jam ftuar të mirëpres disa kapitalistë të pamëshirshëm amerikanë. Ata janë peshkaqen. Shiheni. Është peshkaqeni tipik amerikan që sheh në film. Është një gjë e mirë dhe kemi nevojë për ta, që t’ia thithë gjakun sa të munden europianëve që do të blejnë pasuri të paluajtshme në Shqipëri.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!