Ish-reprezentuesi kroat, Ivan Rakitic, ka folur me shumë emocion për mikun e tij të vjetër dhe bashkëlojtarin e dikurshëm, Luka Modric, i cili po shkëlqen me fanellën e Milanit edhe në moshën 40-vjeçare.
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Rakitic zbuloi detaje të panjohura për marrëdhënien e tyre, rolin e Modric si lider dhe personin që bëri të mundur transferimin e tij në “San Siro”.
Rakitic kujtoi takimin e parë me Modric në një ndeshje miqësore mes Kroacisë dhe Argjentinës në vitin 2006.
“E mbaj mend shumë mirë, 1 mars 2006, në Bazel. Atëherë isha duke menduar të ndryshoja kombëtaren. Shkova në stadium dhe njerëzit e ekipit më thanë: ‘Shiko, mund të luash me atë’. Dhe ‘ai’ ishte Luka”.
Pas ndërrimit të kombëtares në vitin 2009, Rakitic dhe Modric luajtën 77 ndeshje bashkë për Kroacinë, duke ndarë suksese të mëdha dhe momente historike. Ai e përshkroi 40-vjeçarin si një lider të qetë, por me ndikim të madh.
“Nuk flet shpesh, por kur flet, të gjithë e dëgjojnë. Është serioz, i qartë dhe shumë i përqendruar. I pëlqen të bëjë shaka, por kur vjen puna për punë, nuk i shpëton asnjë detaji”.
Ish-mesfushori i Barcelonës foli edhe për kënaqësinë që ndien duke e parë Modric ende aktiv në moshën 40-vjeçare, këtë herë me fanellën e Milanit.
“Folëm dje. Luka është shumë i lumtur. Më ftoi ta vizitoj në Milano. Më tha se futbolli atje është ndryshe nga Spanja, por ndihet shkëlqyeshëm. Është i lumtur me shokët e skuadrës dhe me jetën në Itali. Familja e tij po e shijon këtë kapitull të ri – dhe për ne futbollistët, kjo ka shumë rëndësi”.
Rakitic zbuloi gjithashtu se roli kyç në transferimin e Modric te Milani i përkiste Igli Tares, drejtorit sportiv shqiptar.
“Luka duhet ta falënderojë Igli Taren. Ai është njeriu që e solli në Milano. Mendoja se do të mbyllte karrierën te Real Madridi, por si mik, ta shoh tek Milani më bën shumë të lumtur. Do të festoj çdo fitore të tij, personale apo me skuadrën, sikur të ishte e imja”.
Kur u pyet nëse e sheh Modric mes 10 lojtarëve më të mëdhenj në histori, Rakitic u përgjigj me bindje:
“Nuk e di për top 10, por jam i sigurt se është lojtari më i mirë kroat i të gjitha kohërave”./Telegrafi