Rahovec: Policia sekuestron armë dhe municion pas publikimit të videove në rrjete sociale

news image

Policia e Kosovës ka sekuestruar disa armë dhe sasi të konsiderueshme municioni në dy raste të ndara në Rahovec, pas publikimit të videove në rrjete sociale ku persona shiheshin duke shtënë me armë zjarri.

Në rastin e parë, një i mitur nga fshati Qifllak kishte shpërndarë një video ku qëllonte me armë. Pas kontrollit në shtëpinë e tij, policia gjeti dhe sekuestroi tri armë të gjata, një pistoletë me dy karikatorë, 207 fishekë të llojeve të ndryshme dhe nëntë gëzhoja kalibër 9 mm.

Në rastin e dytë, një video tjetër e ngjashme çoi në identifikimin e një personi të moshës madhore nga fshati Fortesë. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia konfiskoi dy pistoleta dhe një karikator.

Sipas Policisë, me vendim të Prokurorit të Shtetit, për të dy rastet janë iniciuar procedura penale për “mbajtje të paautorizuar të armëve” dhe “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Njëri nga të dyshuarit është ndaluar për 24 orë, ndërsa personi tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për parandalimin e përdorimit të armëve të zjarrit dhe mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/