Lulzim Rafuna, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se me mosformimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit, vendi nuk është duke ecur përpara në aspektin e zhvillimit ekonomik.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai ka deklaruar se janë duke munguar investimet e huaja si pasojë e ngërçit politik, njofton Klankosova.tv.
“Duke qenë edhe kryetar i Bordit të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, jam duke parë sa ka investime në vendet e rajonit dhe them me shumë përgjegjësi se në këto dy vitet e fundit nuk ka as interesim për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë.”
“Me bllokadën institucionale që e kemi, kemi mbetur mbrapa me të gjitha reformat. Kemi qenë shumë para vendeve të rajonit, kemi qenë lakmi dhe model, si dhe kemi dhënë këshilla se si duhet të bëhen reformat në vendet e rajonit, dhe tani jemi shumë mbrapa.”
“E dyta, kemi mbetur shumë mbrapa me investime kapitale, jo që nuk kemi mundur të thithim investime të tjera – janë mbi 1 miliard kredi apo grante të ndryshme të kombinuara që qëndrojnë në Kuvendin e Kosovës, për shkak se nuk mund të votohen dhe të ratifikohen dhe që ato mjete t’i marrim dhe t’i fusim në funksion në projekte kapitale”, tha Rafuna.
Rafuna tha se vendi këtë vit e ka zhvillimin ekonomik më të vogël se vitin e kaluar. /Klankosova.tv
The post Rafuna: Ngërçi politik, shkaktar i mungesës së investimeve të huaja në Kosovë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.