Radosavljeviq, kandidati për kryetar të Leposaviqit: Kësaj radhe kushtet më të favorshme në fushatë, Lista serbe nuk ka më forcën që ka pasur dikur

Radosavljeviq, kandidati për kryetar të Leposaviqit: Kësaj radhe kushtet më të favorshme në fushatë, Lista serbe nuk ka më forcën që ka pasur dikur

Nenad Radosavljeviq, kandidati për kryetar i komunës së Leposaviqit, përmes Iniciativës Qytetare “Fytyra e Re – Drejtësi Popullore”, beson se fushata parazgjedhore për këto zgjedhje lokale është ndryshe nga të tjerat, duke shtuar se kushtet “janë pak më të mira se më parë”.

“Mendoj se kjo është rezultat i faktit që struktura që ka qenë në pushtet – Lista Serbe – nuk është më në atë forcë që ka qenë dikur, dhe shumë njerëz kanë ikur, ata që kanë mundur të kërcënojnë, shantazhojnë dhe të organizojnë skema të ndryshme në të cilat ishin stërvitur mirë në periudha të kaluara”, tha ai.


Vetë Radosavljeviq ka qenë pjesë e administratës lokale në Leposaviq si drejtor i Departamentit për Sport, Rininë dhe Kulturë.

“Që nga viti 2013 jemi plaçkitur nga ana e Listës Serbe, ata po pasuroheshin për vete, ndërsa popullit nuk i vinte asgjë….”, tha politikani serb.

“E dimë që njerëzit vazhdojnë të punësohen, të marrin paga nga Beogradi dhe janë të frikësuar se mos i humbin ato paga, prandaj votojnë absolutisht sipas urdhrit që u vjen nga Beogradi”, theksoi Radosavljeviq, duke thënë se qytetarët janë punësuar qëllimisht në institucionet serbe që më vonë janë mbyllur nga autoritetet kosovare.

“Në ato institucione janë punësuar njerëz thjesht që të marrin pagë dhe të votojnë për ata që ia japin pagën…për shembull në biblioteka, shtëpitë e kulturës, ndërmarrjet komunale. E gjithë kjo është për të motivuar që të votohet për pushtetin nga Beogradi dhe kjo është pamje e hidhur e Leposaviqit tani”, shtoi ai.

Ndryshe, koalicioni qytetar “Fytyra e Re – Drejtësi Popullore” garon me numrin 126. Ky koalicion është formuar me mbështetjen e partisë opozitare “Fytyra e Re” udhëhequr nga Milosh Parandiloviq, i cili ka dhënë publikisht mbështetjen. /Telegrafi/