Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet lokale.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se duke u mbështetur në të dhënat preliminare deri në mbylljen e vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 39.26% apo 795,033 votues.
Ai dha detaje edhe nga zgjedhjet lokale të vitit 2021, duke theksuar se deri në ora 19:00 kishin votuar 770,171 votues.
“Deri në mbyllje të vendvotimeve në zgjedhjet lokale të vitit 2021 sipas të dhënave preliminare nga 95% e vendvotimeve kishin votuar 770,171 votues apo 43% e votuesve nga 1,885,448 votues,” tha ai.
Radoniqi njoftoi se në shumë vendvotime ka filluar tashmë numërimi i fletëvotimeve, i cili do të zhvillohet në dy etapa.
“Procesi i numërimit do të zhvillohet në dy etapa. Fillimisht do të numërohen votat për kandidatët për kryetarë të komunave, ndërsa pas përfundimit të kësaj faze do të vazhdohet me numërimin e votave për subjektet politike që garuan për kuvendet komunale. KQZ-ja informon se nga ora 19:00 ka filluar afati 48-orësh për paraqitje të ankesave në PZAP,” shtoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!