Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, priti sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Christian Bottcher.
Në njoftim thuhet se takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të përbashkëta për forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e rëndësisë së proceseve zgjedhore demokratike.
Gjatë takimit, kryesuesi Radoniqi e informoi Bottcher lidhur me përgatitjet që KQZ-ja është duke bërë për organizimin dhe mbarëvajtjen e Zgjedhjeve Lokale 2025.
Kryesuesi Radoniqi shprehu angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për garantimin e një procesi zgjedhor të lirë, të drejtë dhe transparent, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për ruajtjen dhe përmirësimin e standardeve demokratike në Kosovë.
Nga ana e tij, Boettcher vlerësoi përpjekjet e KQZ-së për forcimin e demokracisë në vend dhe uroi sukses në organizimin e procesit zgjedhor. /Telegrafi/