Rabiot me fjalë të mëdha për Allegrinin, flet edhe për rivalët e Milanit për titull

Rabiot me fjalë të mëdha për Allegrinin, flet edhe për rivalët e Milanit për titull

Pas një sezoni të kaluar në Francë, Adrien Rabiot është rikthyer këtë verë në Serie A, por kësaj here me fanellën e AC Milanit.

Mesfushori francez iu bashkua projektit të ri të udhëhequr nga Massimiliano Allegri, me synimin për ta rikthyer klubin kuqezi në majat e futbollit italian dhe evropian.


Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, Rabiot foli për marrëdhënien e tij të ngushtë me Allegrin, me të cilin ka ndarë shumë suksese te Juventusi.

“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Allegrin. Jemi të ngjashëm dhe e vlerësoj shumë këtë në nivel njerëzor. I telefononim dhe i shkruanim njëri-tjetrit shpesh, madje edhe sezonin e kaluar. Kishte pasur kontakt me Milanin vitin e kaluar, por asgjë nuk ndodhi. Këtë verë, ata dolën në pah në fillim dhe u rikthyen në plan të parë pas problemit në Marsejë. Ishte koha e duhur për të gjithë”, tha francezi.

Sipas tij, rikthimi i Allegrit në stol është një garanci për suksesin e Milanit.

“Ai gjithmonë ka qenë shumë i vendosur. Është fitues dhe gjithmonë i uritur për fitore. Më pëlqen kjo, sepse edhe unë jam i tillë. Nuk mendoj se ai po kërkon hakmarrje, sepse është një trajner që ka fituar shumë dhe është i respektuar në botën e futbollit.”

Rabiot zbuloi se ka refuzuar oferta të tjera nga klube që luajnë në Ligën e Kampionëve, duke vendosur të besojë në projektin e Milanit.

“Milani është një klub legjendar me ambicie të mëdha. Allegri po ndërton një plan trevjeçar për t’u rikthyer në krye, me përparësi kthimin në Ligën e Kampionëve dhe paraqitjen tonë më të mirë këtë vit në ligë, që për mua do të thotë të luftojmë për Scudetton. Ne kemi cilësinë për ta bërë këtë.”

Në fund, Rabiot ndaloi edhe te rivalët për titull, duke përmendur se gara këtë sezon do të jetë më e ashpër se kurrë.

“Të shohësh Romën kaq lart në tabelë është surprizë. Napoli mbetet më i forta. Interi është skuadra italiane që ka performuar më mirë në Evropë deri më tani dhe ka avantazhin e vazhdimësisë. Juventusi ka cilësi, por më pak se Napoli ose Interi; atyre ende u mungon kimia e nevojshme për të fituar Scudetton. Ata do të luftojnë për një vend në Ligën e Kampionëve.”