Ish-kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, i pavaruri Rufki Suma, do të hyjë në garë për të parin e kësaj komune në zgjedhjet lokale të tetorit.
Këtë vendim, Suma thotë se e mori pas pranimit të mbi 1200 nënshkrimeve nga qytetarët e kësaj komune.
“Të nderuar qytetarë të Hanit të Elezit, pas pranimit nga ana e juaj të listës me mbi 1200 nënshkrime për kandidimin tim për kryetar të komunës së Hanit të Elezit si Kandidat i Pavarur dhe pas certifikimit nga ana e KQZ-së, nën moton ‘Gjithnjë në shërbim të popullit’, unë kam vendosur t’i hyj garës për kryetar të komunës së Hanit të Elezit në zgjedhjet që do të mbahen me 12 tetor të këtij viti”, tha Suma në një postim në Facebook.
Për të marrë drejtimin e komunës, ai tha se do të mbështetet, sikurse në mandatet e kaluara, fillimisht te qytetarët, por edhe te donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ai thotë se pret që edhe në të ardhmen, “me ndihmën e Zotit dhe donatorëve si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, bashkërisht me ju do të realizojmë projektet që do të përcaktohen nga ana e juaj nëpër debatet publike”.
Suma luti qytetarët e Hanit të Elezit që të mos etiketojnë apo të fyejnë kundërkandidatët, qoftë për kryetar apo këshilltarë të kuvendit komunal.
“Ju duhet të votoni vetë sipas bindjes tuaj të lirë, pa ndikim e pa presion nga askush, votoni atë që ju mendoni se është më i miri dhe punon për interesin e komunës suaj”, u shpreh Kandidati i Pavarur, Rufki Suma.
Kryetar aktual i kësaj komune është Mehmet Ballazhi i PDK-së, i cili ka njoftuar se do të rikandidojë. /Klankosova.tv
The post Qytetarët “detyrojnë” Rufki Sumën të rikthehet në garën për kryetar të Hanit të Elezit appeared first on Klan Kosova.