QKSS publikon raportin “Gjurma e heshtur e Kinës, hartëzimi i ndikimit kinez në politikën lokale dhe peizazhin ekonomik në Kosovë”

QKSS publikon raportin "Gjurma e heshtur e Kinës, hartëzimi i ndikimit kinez në politikën lokale dhe peizazhin ekonomik në Kosovë"

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer – Prishtinë (KAS), sot prezantoi raportin e saj më të ri kërkimor “Gjurma e heshtur e Kinës: Hartëzimi i Ndikimit Kinez në Politikën Lokale dhe Peizazhin Ekonomik në Kosovë.”

Tryeza mblodhi ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesionistë për të diskutuar rritjen e pranisë së Kinës dhe ndikimin e saj në qëndrueshmërinë demokratike të Kosovës.


Autorja e raportit, Adelina Hasani, theksoi se strategjia e Kinës në Kosovë fokusohet kryesisht në angazhimin ekonomik dhe fushatat e dezinformimit.

Së fundmi, Pekini ka shfaqur gjithashtu prirje për të zhvilluar takime me autoritetet lokale dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha si ekonomia, kultura dhe arti.

Megjithëse Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk mban marrëdhënie diplomatike formale, ajo vepron përmes kanaleve të tërthorta, sidomos përmes tregtisë, duke ndërtuar partneritete komunale dhe lidhje me bizneset lokale

Kjo qasje pasqyron parimin Tao Guang Yang Hui—strategjinë madhore të Kinës për ndjekjen e interesave kombëtare duke shmangur konfrontimin e hapur.

Për dallim nga qasja agresive e Rusisë, Kina e zgjeron ndikimin në heshtje, përmes mekanizmave të fuqisë së butë, duke thelluar gradualisht praninë e saj ekonomike dhe duke shmangur përplasjet politike të drejtpërdrejta.

Panelistja Hajdi Xhixha theksoi se “nuk ka formë më të madhe ndikimi sesa varësia ekonomike.”

Ajo vuri në dukje se Rusia mbështetet te destabilizimi dhe dezinformimi, ndërsa Kina ndërton ndikimin përmes levës ekonomike dhe diplomacisë lokale.

Edhe pse të dyja shpesh perceptohen si të afërta, strategjitë dhe objektivat e tyre ndryshojnë ndjeshëm: Rusia ndjek një qasje konfrontuese për të mbajtur rrjete aleatësh në rajon, ndërsa Kina avançon interesat e saj në mënyrë të qetë dhe afatgjatë.

Tryeza theksoi se ndikimi i Kinës në Kosovë realizohet kryesisht përmes lidhjeve ekonomike dhe kulturore të tërthorta, e jo përmes konfrontimit të hapur.

Për të mbrojtur proceset demokratike, Kosova dhe partnerët e saj duhet të forcojnë mekanizmat e monitorimit, të rrisin ndërgjegjësimin institucional e shoqëror dhe të zhvillojnë strategji të përbashkëta me vendet e Ballkanit Perëndimor për të kufizuar varësinë ekonomike.

Raporti i plotë këtu.