Partitë ish-opozitare kanë kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas paraqitjes së tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin ku Faton Klinaku, ish-udhëheqës i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, akuzohet për kanosje ndaj tij.
Lidhur me këto kritika nga partitë opozitare, nuk mungoi as reagimi i zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se paraqitja e kryeministrit në detyrë, për rastin e kanosjes ndaj tij s’është standard i dyfishtë.
“Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë.”, ka shkruar Kryeziu.
Kryeziu po ashtu ka thënë se për rastin e kanosjes, Kurti është intervistuar në zyrën e tij më 10 qershor.
Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që prokurorët t’i shkojnë në zyrë dhe ka thënë se ka precedent për këtë, por gjykata e ka urdhëruar atë që të dëshmojë në prokurori. Ai madje është gjobitur për refuzimin që të shkojë në prokurori. E Kurti është ankuar për këtë gjobë 250-euroshe.
Kurti është ftuar të dëshmojë lidhur me dyshimet e prokurorisë në rastin e rezervave shtetërore. Prokuroria dyshon se shteti është dëmtuar me rreth 600.000 euro gjatë blerjes së produkteve për rezervën shtetërore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!