Qeveria në detyrë të martën miratoi kërkesën e Ministrisë së Financave për ekzekutimin e 100 eurove për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret me fillimin e vitit të ri akademik, por ky vendim u kritikua nga opozita, sipas të cilëve është përpjekje për blerje të votave.
Në mbledhje të Qeverisë u bë e ditur se ndarja e 100 eurove për studentë pritet të kenë kosto rreth 6 milionë euro
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se këto mjete do të sigurohen nga Programi i Ringjalljes Ekonomike.
“Siç e theksuam kemi të bëjmë me ndarjen e 100 eurove për studentët që plotësojnë kriteret, ngjashëm siç kanë qenë masat gjatë viteve të mëparshme, dhe ky veprim parashihet të ketë koston rreth 6 milionë euro që pritet të sigurohen nga Pako e Ringjalljes Ekonomike”, tha Murati.
Ministri theksoi se për formën e aplikimit dhe datat e ekzekutimit studentët do të njoftohen.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se përveç ndarjes së 100 eurove, studentët që janë në nivelin bachelor do të përfitojnë edhe bursën për mobilitet.
“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetarët. Sepse kur rritja ndahet ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarje të rritjes ekonomike sot e miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentet që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentë nuk mbaron me kaq. Sot do të miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentet bachelor. Shuma e mbështetjes do të varet nga distanca nëpërmjet vendbanimit dhe vendit ku studioni”, ka thënë ai.
Bursa për mobilitet do të kap vlerën prej 20 milionë eurosh për një vit.
Kurti ka shtuar se të hyrat buxhetore kanë shënuar rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin paraprak
Krasniqi kritikon ndarjen e 100 eurove për studentë: Përpjekje e dëshpëruar për blerje vote
Por, pas vendimit të Qeverisë në detyrë ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.
Ai këtë veprim e ka cilësuar si një tentativë të hapur për blerje të votës.
Sipas Krasniqit, ky është një reagim i vonuar dhe i motivuar nga paniku elektoral.
“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën,” shkroi Krasniqi në një postim në rrjete sociale.
Ai theksoi se kjo shumë nuk përfaqëson një mbështetje të sinqertë për studentët, por është një manovër elektorale.
“Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote.”
Megjithatë, kreu i PDK-së ftoi studentët të marrin këto mjete, duke theksuar se ato u takojnë, por të mos lejojnë që kjo t’i ndikojë në zgjedhjen e tyre.
“Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, tha Krasniqi.
Qeveria ndau 100 euro, Cakolli: Shembull i përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale
Edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke ndarë nga 100 euro për studentët e vendit.
Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.
Tutje ai tha se ndarja e këtyre mjeteve si edhe masat e tjera financiare nuk janë aktivitete të domosdoshme e as të parapara me buxhetin vjetor.
“Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për Qeverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë”.
Sipas tij, në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga Qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral.
“Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale. Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët”, ka shkruar Cakolli. /Telegrafi/