Friday, April 3, 2026
spot_img
HomeLajmeQeveria mblidhet nesër, pritet të shqyrtojë masat për produktet bazë

Qeveria mblidhet nesër, pritet të shqyrtojë masat për produktet bazë

Qeveria e Kosovës pritet të shqyrtojë të premten projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, gjatë mbledhjes së planifikuar për në orën 9:30.

Sipas  agjendës së mbledhjes, e cila përfshin 16 pika, njëra prej tyre lidhet me çështjen e çmimeve në kohë kur tregu është jostabil. Një ligj i ngjashëm në mandatin e kaluar, ai për çmimet tavan, ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në Kosovë ka nisur një valë e re inflacioni, qëkur më 28 shkurt, si pasojë e sulmeve amerikano-izraelite mbi Iran, nisi shtrenjtimi i naftës në nivel global. Për të ndikuar në uljen e çmimit të derivateve, partitë opozitare kanë rekomanduar uljen e akcizës ose të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, por Qeveria ka refuzuar këto propozime.

Të premten pritet të mbahet edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit, e dedikuar pikërisht për këto kërkesa të opozitës.

Në rend dite në mbledhjen e Qeverisë janë edhe shqyrtimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, projektligji për shtetësinë e Kosovës, ai për lëndët plasëse, si dhe ai për Maturën Shtetërore.

Po ashtu, priten shqyrtime edhe të disa projektligjeve të tjera, si dhe i një nisme për një marrëveshje bashkëpunimi ushtarako-financiar me Turqinë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT