Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje.
Në mesin e tyre është projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.
Po ashtu, janë miratuar edhe projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve për programin e kredisë së bazuar në politikat për sektorin e energjisë dhe klimës për Kosovën.
Gjithashtu, Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.
Ndër të tjera, është shqyrtuar dhe miratuar edhe lista e artikujve për përdorim të përbashkët, që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik.
Si pikë e fundit, në këtë mbledhje janë miratuar edhe ndryshimet në Tabelën 3.2 të Ligjit Nr. 10/L-001 për Ndarjet Buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026, “me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare dhe kontraktuale të papërmbushura nga viti paraprak për Ministrinë e Mbrojtjes”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


