Pas konstituimit të Kuvendit, kanë nisur zyrtarisht të rrjedhin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.
Më 11 tetor, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për formimin e qeverisë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kurti ka afat 15 ditë për të paraqitur para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar dhe programin qeverisës, gjë që duhet të ndodhë deri më 26 tetor.
I pyetur nga gazetarët lidhur me ecurinë e bisedimeve për formimin e koalicionit, Kurti ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të nisë takimet me përfaqësuesit e partive politike.
Megjithëse Lëvizja Vetëvendosje doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ajo nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.
Prandaj, Kurti do të duhet të arrijë marrëveshje me parti të tjera për të siguruar të paktën 61 vota në Kuvendin prej 120 ulësesh, që është shumica e thjeshtë për votimin e qeverisë.
Në ndërkohë, Telegrafi ka hapur një sondazh online për të matur opinionin e qytetarëve rreth preferencave për koalicionet e mundshme të LVV-së. Deri më tani, kanë votuar 1,620 persona. Rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se:
41% e votuesve preferojnë një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së
34% mbështesin një koalicion me minoritetet, Nismën dhe LVV-në
18% janë pro një koalicioni mes PDK-së dhe LVV-së
7% mbështesin një koalicion mes minoritetet, AAK-së dhe LVV-së. /Telegrafi/