Avokati i Popullit, Naim Qelaj, teksa ka shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, tha se shteti i Kosovës nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të mbikëqyrur siç duhet.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Qelaj nuk deshi të flasë për mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, por vuri në pah monitorimin e munguar të gjykimit të tyre, transmeton Klankosova.tv.
“Nuk duhet të flasim për mbështetje. E, para që duhet të bëjmë është të sigurojmë proces të drejtë dhe të paanshëm. Ndoshta këtu Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm, sepse ka qenë e domosdoshme që kjo gjykatë të monitorohet prej një autoriteti i cili është jopolitik, joinstitucional. Pra, mund të jetë institut i të drejtave të njeriut, mund të jetë organizatë e shoqërisë civile. E kam ngritur këtë shqetësim qysh me kohë kur e kam pasur vizitën e parë në vitin 2021, sepse përkundër garancive që verbalisht i japin gjyqtarët, kryetarja e gjykatës dhe vetë gjykata, këto janë të pamjaftueshme në kuptim të vetë mënyrës se si po procedohet ky rast”, tha Qelaj.
Ai tha se shqetësimet e qytetarëve për ecurinë e gjykimit në Hagë janë të arsyeshme, për shkak të problemeve me transparencën, redaktimet e shumta dhe përdorimin e provave të dyshimta.
“Publikohen seanca të redaktuara, jepen dokumente dhe prova të redaktuara, ka probleme të përkthimeve dhe përdorimit të gjuhës, përdoren prova që sigurohen, së paku është përfolur, që janë siguruar nga shërbimet sekrete të shteteve që janë armiqësore me Kosovën. Të gjitha këto janë probleme që qytetari i Republikës së Kosovës, në emër të së cilës operon ajo gjykatë, natyrisht që ka shqetësimet e tij, dilemat nëse kjo gjykatë është me të vërtetë në funksionin e vet për të garantuar respektim të të drejtave të njeriut të të akuzuarve, të dëmtuarve dhe dëshmitarëve në procedurën gjyqësore”, tha ai.
Sipas Qelajt, është koha që edhe Këshilli i Evropës të përfshihet në monitorimin e Gjykatës Speciale për të siguruar që ajo të veprojë brenda mandatit të saj.
“Për më tepër, konsideroj që duhet ditur që kjo gjykatë ka ardhur si rrethanë e një detyrimi ndërkombëtar, një obligimi ndërkombëtar që Kosova e ka marrë. Është me rëndësi të shihet që gjykata a po vepron brenda atyre kornizave të atij detyrimi, mos ka dalë përtej asaj. Nëse Këshilli i Evropës si autoritet mbi të cilin raportet dhe rezultatet e të cilit është themeluar kjo gjykatë, ndoshta duhet të aktivizohet për ta monitoruar vetë dhe ta shohë se a është në linjën e kërkesave që i ka pasur kjo organizatë”, tha ai.
The post Qelaj: Kosova s’ka bërë mjaftueshëm për drejtësi në Hagë appeared first on Klan Kosova.