Gazetari Roland Qafoku e ka cilësuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si një ngjarje që ka goditur “shtetin në zemër”
I ftuar në emisionin Off the Record në A2 CNN, Qafoku tha se ngjarja është ndër më të rëndat që ka ndodhur ndonjëherë në sistemin e drejtësisë shqiptare.
“Vrasja e gjyqtarit Kalaja është më e rënda në drejtësi. Është vrarë edhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, por si ka mundësi që askush nuk flet për 422 policët që janë vrarë në krye të detyrës? Ato janë bij nënash, dhe shteti duhet t’i nderojë”, tha Qafoku.
Ai solli në vëmendje edhe një rast nga Shkodra, ku një autor i vrasjes së një polici është dënuar vetëm me tre vite burg, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi të rëndë.
Në lidhje me deklaratat e ditëve të fundit se në Shqipëri janë vrarë 11 mijë persona për çështje pronësie, Qafoku tha se kjo shifër është e ekzagjeruar.
“Ka disa shifra që nuk janë të sakta. Me referencë zyrtare, janë rreth 7 mijë vrasje që nga viti 1990. A mund të jenë shumica për çështje prone, nuk e di, por 11 mijë është e pavërtetë,” theksoi gazetari.