PZAP gjobit VV-në me 2,500 euro për shkak të fushatës së Pecit në Muzeun e Qytetit në Mitrovicë

news image

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Partisë Demokratike kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka shqiptuar gjobë prej 2,500 euro ndaj subjektit politik për shkelje të Kodit të Mirësjelljes dhe rregullave të fushatës në kuadër të Zgjedhjeve Lokale 2025, të caktuara për 12 tetor 2025.

“PRANOHET e bazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, ZL.Anr.44/2025 e datës 18.09.2025. II. Subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me seli në Prishtinë, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë fushatës zgjedhore, Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen më datë 12 Tetor 2025, i shqiptohet dënimi më gjobë në lartësi prej 2 500 (dymijë e pesqind) euro.”

Ankesa e PDK-së pretendonte se kandidati i LVV-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka publikuar në profilin e tij në Facebook fotografi të realizuara brenda Muzeut të Qytetit të Mitrovicës, duke shfrytëzuar hapësira publike për qëllime elektorale, në kundërshtim me dispozitat zgjedhore.

Sipas PZAP-it, postimet ishin ende aktive në momentin e shqyrtimit, ndërsa provat fotografike u bashkëngjitën me ankesën.

“Me datën 18.09.2025 PZAP-i, ka pranuar një ankesë nga subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me seli në Prishtinë, në të cilën pretendohet se me datë 16 Shtator 2025, kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut, nga radhet e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, ka identifikuar në profilin në Facebook, foto të realizuar në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit të Mitrovicës në kundërshtim me dispozitat ligjore zgjedhore, duke shfrytëzuar kështu burimet dhe institucionet publike shtetërore për qëllime elektorale.”

Në arsyetim, paneli ka vlerësuar se kandidati ka shkelur Rregulloren Zgjedhore për Fushatën, Monitorimin e saj dhe Deklarimin Financiar, pasi ka përdorur objektin publik për të promovuar numrin me të cilin garon për kryetar komune.

“Paneli pasi që shqyrtoi pretendimet ankimore dhe përgjigjen në ankesë, ka gjetur se postimi i fotove është ende aktiv në llogarinë në Facebook të kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës nga radhët e subjektit politik VV, Faton Peci, dhe ka vërtetuar se fushata është bërë në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit në Mitrovicë”.

“Nga prova materiale e bashkëngjitur në ankesë të subjektit politik PDK dhe shkresave të tjera të lëndës, paneli ka vlerësuar se nga ana e kandidatit për kryetar nga radhët e subjektit politik VV është shkelur Rregullorja Zgjedhore për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar, pasi kandidati në fjalë me qëllim të promovimit të numrit në listën me të cilën kandidon për kryetar është regjistruar në hapësirat e brendshme të Muzeut të Qytetit, për fushatë zgjedhore”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/