Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar gjoba ndaj disa subjekteve dhe kandidatëve pas shkeljeve gjatë fushatës zgjedhore për komunat e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje u gjobit me 2,000 euro pas ankesës së PDK-së kundër Qemajl Aliut, kandidatit të VV-së për kryetar të Komunës së Shtime. PZAP ka vërtetuar se Aliu ka shfrytëzuar burime dhe institucionet publike shtetërore për fushatë personale.
“Paneli pasi që shqyrtoi pretendimet ankimore, ka gjetur se nga provat materiale e bashkangjitur ankesës, të Subjektit Politik Partia Demokratike e Kosovës, dhe shkresave tjera të lëndës, është vërtetuar se Qemajl Aliu, kandidat për kryetar të Shtimes nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook zyrtar të Komunës së Shtimes ku është e përfshirë fotografia dhe slogani elektoral i kandidatit për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje në Shtime, Qemajl Aliu. Gjithashtu, në postimin e bërë është shkruar ‘mbështetjen e fuqishme për klub e garave nuk do ta ndal as gjatë mandatit të ardhshëm’, me qëllim të përfitimit të votave nga qytetarët e Shtimes”, thuhet në arsyetimin e PZAP.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës u gjobit me 500 euro pas ankesës së LVV-së se kandidati i PDK-së, Ilirik Musliu, kishte vendosur material reklamues zgjedhor në udhëkryqin mes Rrugës B dhe “Enver Maloku”.
“Paneli pasi që shqyrtoi pretendimet ankimore, ka gjetur se nga prova materiale e bashkangjitur ankesës, të Subjektit Politik PDK, dhe shkresave tjera të lëndës, paneli ka vlerësuar se kandidati Ilirik Musliu ka vendosur material reklamues zgjedhor në udhëkryqin mes Rrugës B dhe rrugës Enver Maloku, në Prishtinë”, arsyetoi PZAP.
Po ashtu, janë gjobitur subjekti GI Novo Lice-Narodna Pravda me 800 euro, kandidati i pavarur për Dragash, Nedzmidin Sejdilar, me 1,000 euro dhe Lista Serbe me 800 euro.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!