Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se është i hapur për t’i ofruar SHBA-së akses në burimet e mineraleve të rralla, përfshirë ato të pranishme në territoret e Ukrainës.
Kjo deklaratë vjen pas kërkesave të përsëritura të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të ndihmuar Ukrainën që të heqë dorë nga disa nga pasuritë e saj minerale në këmbim të mbështetjes amerikane, një marrëveshje që thuhet se është në fazën finale të përgatitjes.
Në një intervistë për televizionin shtetëror, Putin tha se ishte i gatshëm të ofronte mundësi bashkëpunimi për partnerët amerikanë në projekte të përbashkëta, duke përfshirë minierat në “territoret e reja” të Rusisë, një eufemizëm për rajonet e Ukrainës lindore që Rusia ka pushtuar që nga fillimi i agresionit tre vjet më parë.
Në fjalët e tij, Putin theksoi se një marrëveshje mes SHBA-së dhe Ukrainës për mineralet e rralla nuk është një shqetësim, duke shtuar se Rusia ka shumë më tepër burime të tilla sesa Ukraina. “Sa i përket territoreve të reja, është e njëjta gjë. Ne jemi gati të tërheqim partnerë të huaj në territoret tona historike, të cilat janë tani pjesë e Federatës Ruse,” tha ai.
Po ashtu, Putin sugjeroi mundësinë e bashkëpunimit mes Rusisë dhe SHBA-së për prodhimin e aluminit në Krasnoyarsk, një rajon në Siberi, ku kompania e madhe ruse e aluminit, Rusal, ka disa nga fabrikat më të mëdha.
Këto komente erdhën pas një takimi të kabinetit të Kremlinit mbi burimet natyrore të Rusisë, ku u diskutuan mundësitë e mëtejshme të zhvillimit dhe shfrytëzimit të këtyre resurseve./Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>