“Punuam bashkë deri në momentin e fundit”, Afrim Bunjaku kujtohet me dhimbje nga kolegu i tij polic

“Punuam bashkë deri në momentin e fundit”, Afrim Bunjaku kujtohet me dhimbje nga kolegu i tij polic

Polici Fahri Shala e ka përkujtuar kolegun e tij të ndjerë, heroin Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023.

Përmes një shkrimi, Shala i cili ishte bashkë me Bunjakun gjatë sulmit, thotë se dhimbja për humbjen e tij është e pamasë, por siç shkruan ai, krenaria për sakrificën e tij e lehtëson shpirtin dhe jep forcë për të ecur përpara.

Tutje, kolegu i rreshterit të vrarë thotë se ai nuk është vetëm kujtim i dhimbjes, por është flamur i guximit, shtyllë e nderit, mishërim i dashurisë së pashuar për Kosovën.

“Sot, më 24 shtator 2025, përkujtojmë me pikëllim të thellë dhe krenari dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku. Punuam krah për krah, të pandarë për vite me radhë, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Edhe sot, në kujtesën time të freskët, mbeten pamjet dhe sekondat e fundit që ndamë së bashku, çaste që u shndërruan në dëshmi të pavdekshme të besnikërisë, trimërisë dhe dashurisë së tij për atdheun. Dhimbja e humbjes është e pamasë, por krenaria për sakrificën e tij e lehtëson shpirtin dhe na jep forcë të ecim përpara. Me përulje e respekt të pafund, përkulemi para aktit të tij sublim, para vendosmërisë dhe guximit që e bënë të flijohej për mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë të  shtrenjtë”, thotë Shala.

“Gjaku i tij, ashtu si gjaku i të gjithë dëshmorëve, është gurthemeli i shtetit tonë, trashëgimia më e shenjtë mbi të cilën ndërtojmë të ardhmen. Veprat e tij janë frymëzim i gjallë, udhërrëfyes për brezat që do të vijnë, për t’u kujtuar se liria ka emër, se liria ka çmim dhe ky çmim është gjaku i dëshmorëve. Heroi ynë Afrim Bunjaku nuk është vetëm kujtim i dhimbjes. Ai është flamur i guximit, shtyllë e nderit, mishërim i dashurisë së pashuar për Kosovën. Ai jeton në çdo hap të lirisë sonë, në çdo frymëmarrje të këtij vendi që ai mbrojti me gjakun e tij. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së heroit, rreshter Afrim Bunjaku! Lavdi e pavdekshme të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha tutje polici Shala, transmeton Klankosova.tv.

 

The post “Punuam bashkë deri në momentin e fundit”, Afrim Bunjaku kujtohet me dhimbje nga kolegu i tij polic appeared first on Klan Kosova.