Punonjësit e strehimoreve të kafshëve shtrohen në spital, pasi FBI përdori furrën për të djegur metamfetaminën e sekuestruar

Punonjësit e strehimoreve të kafshëve shtrohen në spital, pasi FBI përdori furrën për të djegur metamfetaminën e sekuestruar

Katërmbëdhjetë anëtarë të stafit në një strehë kafshësh në SHBA u shtruan në spital të mërkurën, pasi FBI përdori një incenerator në objekt për të djegur metamfetaminë të sekuestruar.

Stafi dhe rreth 75 mace dhe qen u evakuuan nga streha e kafshëve Yellowstone Valley në Billings, Montana, kur ndërtesa u mbush me tym, transmeton Telegrafi.


Inceneratori zakonisht përdoret nga oficerët e kontrollit të kafshëve për të asgjësuar kafshët e eutanizuara, por autoritetet lokale thanë se mund të përdoret edhe nga forcat e rendit për të djegur narkotikët e sekuestruar.

Macet dhe qentë janë zhvendosur dhe kafshët që përjetuan ekspozimin më të madh ndaj tymit, tani janë nën mbikëqyrje.

Incidenti u shkaktua kur tymi u shty në drejtimin e gabuar për shkak të presionit negativ, sipas ndihmës administratorit të qytetit Kevin Iffland.

Drejtoresha ekzekutive e strehës Triniti Halverson tha se nuk ishte në dijeni se po ndodhte një djegie droge.

“Mund të them me bindje dhe besim se, si drejtoreshë ekzekutive, nuk e dija që ata po asgjësonin narkotikë jashtëzakonisht të rrezikshëm në vend”, shkroi ajo në një deklaratë.

“Ekipi im dhe kafshët e mia ishin konfirmuar se ishin ekspozuar ndaj metamfetaminës”, tha ajo.

Para se të evakuoheshin, shumë punonjës vunë maska dhe ndihmuan në nxjerrjen e kafshëve.

Disa nga stafi u ekspozuan ndaj tymit për më shumë se një orë dhe disa filluan të ndiheshin keq. Të 14 personat shkuan në dhomën e urgjencës, ku kaluan rreth tre orë në një dhomë oksigjeni hiperbarike për të luftuar efektet e thithjes së tymit.

Zëdhënësja e FBI-së, Sandra Barker, i tha CBS News se agjencia përdor rregullisht ambiente të jashtme për djegie të kontrolluara të provave të drogës.

Kafshëve të prekura iu dha kujdes veterinar dhe u vendosën në strehim të përkohshëm, përfshirë katër pjellë kotelesh që po monitorohen nga afër sepse ishin të mbyllura në një dhomë me tym, tha Halverson për CBS News. /Telegrafi/