Punimi kundër UÇK-së, Limaj: Basha të japë dorëheqje (VIDEO)

Punimi kundër UÇK-së, Limaj: Basha të japë dorëheqje (VIDEO)

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashës, për shkak të një punimi akademik që, sipas tij, është në kundërshtim me vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I ftuar mbrëmë në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Limaj theksoi se një figurë që mban një nga pozitat më të larta në shtet nuk mund të ketë një të kaluar që bie ndesh me historinë dhe sakrificën e UÇK-së.

“Duhet të kthehet gjendja në normalitet, ose përmes dorëheqjes, ose përmes shkarkimit. Sepse, kurdo që të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ky njeri do të përdoret në tavolinë,” u shpreh Limaj.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një deklaratë të zakonshme apo ndonjë postim në rrjete sociale, por për një punim shkencor të mirëfilltë.

“Kryetari i Kuvendit ka bërë një punim shkencor. Është një dokument i menduar nga një intelektual, të cilin Kosova ka pranuar ta ketë në krye të Kuvendit. Kjo është hipokrizia për të cilën po flas. Ai zotëri duhet të dalë dhe të japë dorëheqje dhe duhet të jetojë me gabimin e tij,” përfundoi Limaj. /Klankosova.tv

The post Punimi kundër UÇK-së, Limaj: Basha të japë dorëheqje (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.