Dy kontejnerë të mbeturinave dhe dy kabina tualeti u vendosën përballë shtëpisë.
Sapo i panë, disa prej banorëve të rrugës “Jakup Ceraja” në Veterrnik, u revoltuan.
Sipas tyre, kjo nuk ishte një rastësi.
Vendosja e tyre afër oborreve të shtëpive banorëve po ju duke si presion e hakmarrje, pas kundërshtimeve që kishin shprehur për nisjen e punimeve në një parcelë ngjitur, raporton Kiks Kosova.
Kjo parcelë prej mbi 42 ari, më parë ishte tokë bujqësore e sot është e mbuluar me zhavorr.
Kjo pasi një ndërmarrje, e cila merret me import e tregti të pajisjeve elektroshtëpiake ka nisur disa punime aty, të cilat tashmë janë ndërprerë pas ankesave të banorëve.
Por pavarësisht kësaj, ata thonë se kompania shpesh herë ndërhyn në punime, ani pse u është ndaluar.
Punimet, sipas banorëve janë bërë pa leje dhe në kundërshtim me planin urbanistik të lagjes.
Në dokumentin e siguruar nga Kiks Kosova, më 13 mars 2025, banorët kanë drejtuar një ankesë zyrtare në Inspektoratin e Komunës së Prishtinës.
Ata pretendojnë se kompania në fjalë, e cila merret me import e tregti të pajisjeve elektroshtëpiake, ka blerë një tokë nga një qytetar serb në një zonë të destinuar për banim dhe e planifikuar të jetë rrugë, por tash po ndërton depo dhe objekte komerciale.
Sipas tyre, për shkak të ndikimit të madh të kompanisë te institucionet, ankesat e tyre nuk po trajtohen siç duhet nga institucionet.
Banorët theksojnë se përveç shqetësimeve ligjore, po përballen edhe me pasoja fizike në pronat e tyre.
Sipas tyre, lëvizja e mjeteve të rënda ka shkaktuar dridhje dhe çarje në mure të disa shtëpive.
Nga ana tjetër, ata ankohen edhe për lëvizjen e punëtorëve në një rrugë prej rreth 4 metrash që ndodhet mes parcelës dhe shtëpive të tyre.
Sipas tyre, kjo rrugë është tokë publike, por po përdoret nga kompania për qasje me mjete të rënda, duke rrezikuar fëmijët dhe duke cenuar sigurinë dhe privatësinë, ani pse ka rrugë të tjera që mund të shfrytëzohen. /Klankosova.tv
The post Punime pa leje e kontejnerë përballë shtëpive? Banorët e Veternikut ndihen nën presion (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.