Punëtori humb jetën në vendin e punës në Suharekë

A shihni vija të drejta apo të lakuara në imazh?

Një person ka ndërruar jetë pas një aksidenti të ndodhur gjatë orarit të punës në Fabrikën “NewKoBallkani”, e njohur ndryshe si Fabrika e Ballkanit, në Suharekë.

Raportohet se viktima është M.D., rreth 50 vjeç, banor i kësaj komune dhe punëtor në fabrikën në fjalë. Kurse rastin tragjik e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot, rreth orës 16:30, Policia është njoftuar se një punëtor i fabrikës ‘NewKoBallkani’ në Suharekë, me inicialet M.D., është lënduar aksidentalisht gjatë orarit të punës, dyshohet nga një pjesë metalike e një vinçi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, i lënduari është dërguar me autoambulancë të QKMF-së në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, por përkundër përpjekjeve mjekësore, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës janë duke e trajtuar rastin dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.