Punësimi i jashtëligjshëm i Nol Carrabregut në “Hidrodrin”, vëllai i këshilltarit të Albin Kurtit (VIDEO)

Punësimi i jashtëligjshëm i Nol Carrabregut në “Hidrodrin”, vëllai i këshilltarit të Albin Kurtit (VIDEO)

Pozita në bord nuk i zgjati shumë, por jashtëligjshëm zuri vend në ujësjellësin e Pejës. Bëhet fjalë për Nol Carrabregun i cili më 14 gusht të 2024-ës u propozua për anëtar të bordit të “Hidrodrinit” nga ministrja Artane Rizvanolli.

Ky propozim u miratua në mbledhjen e qeverisë dhe Carrabregu u emërua anëtar i bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje. E kur bordit të përkohshëm i përfundoi mandati, në mënyrë të kundërligjshme, Nol Carrabregu u rikthye sërish në ujësjellësin e Pejës.

Më 20 mars të 2025-ës, ai aplikoi në konkursin për koordinator të projekteve kapitale dhe më 25 prill e fitoi këtë pozitë.

Në njoftimin për përzgjedhjen e kandidatit fitues nuk gjendet lista e kandidatëve që janë testuar dhe intervistuar në këtë konkurs. Në këtë dokument figuron vetëm emri dhe pikët e Carrabregut si i përzgjedhur në këtë pozitë. Mirëpo, tash e pesë muaj, Carrabregu po e mban kundërligjshëm pozitën e koordinatorit të Projekteve Kapitale në ujësjellësin e Pejës.

Kjo për shkak se aplikimi dhe punësimi i tij në “Hidrodrin” janë në kundërshtim me disa ligje në fuqi të cilat përcaktojnë kufizime për zyrtarët e lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike.

Marrë për bazë Ligjin për Deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, pozita e mëparshme e Carrabregut si anëtar i bordit të një ndërmarrjeje publike hyn në listën e zyrtarëve të lartë. Kësisoj, bazuar në nenin 18 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese.

Detajet e tjera i gjeni në kronikën e realizuar nga Kiks Kosova:

 

The post Punësimi i jashtëligjshëm i Nol Carrabregut në “Hidrodrin”, vëllai i këshilltarit të Albin Kurtit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.