Patrick Schwarzenegger dhe modelja Abby Champion u martuan në fillim të shtatorit në qytetin amerikan Coeur d’Alene, Idaho, dhe tani kanë ndarë me publikun fotot e para nga dasma e tyre.
E gjitha filloi më 4 shtator, me një darkë prove ku Abby veshi një fustan elegant nga Zimmerman, ndërsa Patrick shkëlqeu me një kostum nga koleksioni i Haider Ackermann për Tom Ford.
Një ditë më vonë, u mbajt një barbeque në stilin perëndimor, ku morën pjesë të ftuar dhe anëtarë të familjes. Abby veshi një fustan të gjatë me dantella nga Bec+Bridge për këtë rast, të cilin e kombinoi me çizme të zeza kaubojsh dhe një kapelë.
Ceremonia kryesore u zhvillua më 6 shtator, kur të sapomartuarit shkëmbyen betimet. Abby veshi një fustan nusërie të dizenjuar posaçërisht për të nga stilistja e njohur Danielle Frankel, ndërsa Patrick zgjodhi një kostum për atë ditë, përsëri nga shtëpia e modës Haider Ackermann për Tom Ford.
“Për mua, fustani dhe kush e dizenjoi atë ishin jashtëzakonisht të rëndësishëm. Meqenëse rrobaqepësia dhe moda janë pjesë e profesionit tim, e dija që doja të punoja me dikë me të cilin ndihesha plotësisht rehat, dikë me të cilin mund të ndaja hapur mendimet dhe opinionet e mia. Që nga momenti që takova Danielle, e dija që ajo ishte e duhura”, tha Abby për Vogue.
Ceremonia u drejtua nga babai i Abby-t, dhe shoqëruesit e Patrick-ut ishin vëllai i tij Christopher, vëllai i Abby-t dhe aktori Chris Pratt. Prindërit e Patrick-ut, Maria Shriver dhe legjenda e aktrimit Arnold Schwarzenegger, gjithashtu morën pjesë në dasmë.
Midis të ftuarve ishin disa fytyra të njohura nga seriali “The White Lotus”, përfshirë Jason Isaacs, Sarah Catherine Hook dhe Sam Nivola, i cili mbërriti i shoqëruar nga e dashura e tij, aktorja Iris Apatow.
Patrick dhe Abby janë në një lidhje që nga viti 2015 dhe u fejuan në dhjetor të vitit 2023.
Duke zbuluar se si po përballonin planifikimin e dasmës së tyre në shtator 2024, Patrick i tha GQ: “Për aq sa di unë, roli është thjesht të sigurohet që ajo është e lumtur, çfarëdo që dëshiron të bëjë”. /Telegrafi/