PSG po përgatitet të bëjë një lëvizje të madhe në merkato, me synimin për të rrëmbyer mesfushorin e Romës dhe të kombëtares franceze, Manu Kone, raporton Corriere dello Sport.
Sipas të njëjtave burime, kampionët e Francës janë shumë të interesuar për të nënshkruar me 24-vjeçarin, të cilin Roma e vlerëson rreth 50 milionë euro. Megjithatë, “Parisienët” janë gati ta kalojnë këtë shumë dhe të ofrojnë deri në 60 milionë euro, për të mbyllur marrëveshjen pa hyrë në negociata të gjata me klubin italian.
Kone po shkëlqen me paraqitjet e fundit në kombëtaren e Francës, edhe pse mbeti në stol në fitoren 3–0 ndaj Azerbajxhanit. Ai pritet të jetë titullar në ndeshjen e radhës ndaj Islandës.
Manu Kone
“Corriere dello Sport” shton se “të gjithë janë të çmendur pas Kones” – nga familjarët, miqtë dhe ish-bashkëlojtarët, deri te banorët e qytetit të tij të lindjes, që janë intervistuar nga media franceze në javët e fundit. Lojtari po kthehet shpejt në një yll të papritur të kombëtares së Deschamps.
Nga ana tjetër, Roma nuk ka ndërmend ta shesë lojtarin, veçanërisht pas nisjes së shkëlqyer të sezonit në Serie A, ku është në krye të renditjes bashkë me Napolin.
Mirëpo, klubi roman mbetet nën kufizimet e rregullave të “Financial Fair Play” dhe duke pasur parasysh se Kone u ble për vetëm 18 milionë euro verën e kaluar, një ofertë prej 60 milionësh nga PSG do të përfaqësonte një fitim të madh financiar për verdhekuqtë./Telegrafi/