Një studim i ri, i kryer mbi 15 milionë njerëz, ka treguar se personat me sëmundje mendore shpesh zgjedhin si partnerë njëri-tjetrin dhe se kjo ndikon edhe tek fëmijët e tyre
Disa njerëz ndiejnë nevojën të lajnë duart 20 herë në ditë, disa për shkak të depresionit nuk ngrihen nga shtrati për ditë të tëra, ndërsa të tjerët mezi kontrollojnë mendimet që u vërshojnë me shpejtësi marramendëse.
Sipas raportit të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi një miliard njerëz në botë vuajnë nga çrregullime mendore. Ky numër i madh megjithatë nënkupton se shumica e popullsisë është mendërisht e shëndetshme.
Por duket se personat me sëmundje mendore shpesh lidhen me partnerë që gjithashtu përballen me probleme të ngjashme. Këtë e tregon një studim i publikuar në revistën Nature Human Behavior.
Skizofrenia, depresioni, ankthi: partnerë me diagnoza të ngjashme
Studiuesit analizuan të dhënat e afro 15 milionë individëve, duke vëzhguar nëntë çrregullime: skizofreninë, çrregullimin bipolar, depresionin, ankthin, ADHD, autizmin, çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD), abuzimin me droga dhe anoreksinë.
Rezultatet treguan se, kur një partner diagnostikohej me njërin nga këto çrregullime, gjasat ishin dukshëm më të mëdha që edhe partneri tjetër të kishte një sëmundje mendore, shpesh të njëjtën.
“Do të mendonit se një person me ankth apo depresion do të kërkonte një partner stabil që ofron siguri. Por ndodh e kundërta!”, thotë Robert Plomin, profesor i gjeneve të sjelljes në King’s College London, i cili nuk ka marrë pjesë në këtë studim.
Megjithatë, ai shton se fuqia e efektit mund të shihet vetëm duke lexuar materialin shtesë të studimit, gjë që e quan jo shumë transparente. Sidoqoftë, ai pranon se një kampion prej 15 milionë njerëzish i jep peshë këtyre gjetjeve, shkruan Deutsche Welle, përcjell Telegrafi.
pexels
Rezultate të ngjashme në Evropë dhe Azi
Idetë e para për këtë prirje datojnë që në vitet ’60, por studimet e asaj kohe kishin përmasa të vogla. Vetëm një dekadë më parë u realizua një studim më i madh, i kufizuar në vendet e Evropës Veriore.
Studiuesi i popullsisë dhe gjenetikës, Chun Chieh Fan, nga Laureate Institute for Brain Research në Oklahoma, ka mbledhur të dhëna nga tre vende: Danimarka, Suedia dhe Tajvani, për të parë nëse ky model është i njëjtë edhe në kultura të ndryshme.
“Rezultatet ishin befasuese: modelet ishin pothuajse identike, pavarësisht nga vendi”, thekson Fan. Dallime u gjetën vetëm për OCD, çrregullimin bipolar dhe anoreksinë. Në Tajvan, për shembull, çiftet kishin më shumë gjasa të ndanin diagnozën e OCD sesa çiftet në Evropën Veriore.
Të dhënat nga Tajvani, të mbledhura për më shumë se 50 vjet, treguan gjithashtu se kjo prirje ka mbetur e qëndrueshme ndër dekada. Madje për abuzimin me drogë, probabiliteti është rritur, ndërsa vetëm për OCD është ulur.
Pse ndodh kjo?
Studiuesit identifikojnë tre arsye kryesore pse personat me çrregullime mendore lidhen më shpesh mes tyre:
- Kërkimi i ngjashmërisë – njerëzit zgjedhin dikë që ka përvoja të ngjashme.
- Mjedisi i përbashkët – faktorët e njëjtë shoqërorë apo mjedisorë mund të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të ngjashme.
- Stigma – paragjykimet lidhur me sëmundjet mendore mund të kufizojnë mundësitë e zgjedhjes së partnerëve.
Kjo dukuri në psikologji quhet “asortiativitet në zgjedhjen e partnerit”. Mundësitë për afrim janë më të mëdha sepse partneri tjetër e kupton më mirë situatën, ose sepse të dy ndajnë cilësi pozitive të ngjashme, si kreativiteti.
Megjithatë, studimi nuk mund të përgjigjet nëse sëmundja paraprin lidhjen, apo e kundërta. Po ashtu mbetet e paqartë nëse çiftet me të njëjtat sëmundje përjetojnë një martesë më të mirë apo më të vështirë.
Edhe fëmijët rrezikohen
Një gjetje tjetër shqetësuese është se fëmijët e prindërve me të njëjtin çrregullim kanë dyfish më shumë gjasa të zhvillojnë një sëmundje mendore krahasuar me ata që kanë vetëm një prind të prekur.
“Zgjedhja e partnerit rrit mundësinë e trashëgimisë së çrregullimit mendor”, shpjegon Fan. Efekti ishte më i fortë te shizofrenia, depresioni, çrregullimi bipolar dhe varësitë.
Për mjekët dhe terapeutët, kjo do të thotë se në trajtim duhet marrë në konsideratë edhe familja. Partnerët dhe fëmijët e personave të prekur shpesh kanë nevojë për mbështetje terapeutike. /Telegrafi/