Një fenomen i çuditshëm, i quajtur “kopjimi i zgjedhjes së partnerit”, tregon se arsyeja nuk lidhet vetëm me psikologjinë, por ka edhe rrënjë evolutive
A keni vënë re një model të çuditshëm? Ndoshta keni qenë gjatë vetëm, por sapo hyni në një lidhje, telefoni papritmas mbushet me mesazhe.
Ose, ndoshta shpesh kapni veten duke u tërhequr pas personave që janë tashmë të zënë. Nëse kjo ju ndodh, mos u shqetësoni, shkenca ka një shpjegim për këtë fenomen.
Çfarë është “kopjimi i zgjedhjes së partnerit”?
Bëhet fjalë për fenomenin e njohur si “kopjimi i zgjedhjes së partnerit”. Edhe pse tingëllon e ndërlikuar, në të vërtetë është shumë i thjeshtë dhe nuk jemi të vetmit që përballemi me të. I njëjti proces mendor është vërejtur edhe tek kafshët.
Psikologia Eloise Skinner e shpjegoi për Metro: “Kopjimi i zgjedhjes së partnerit përkufizohet si rritja e mundësisë për të zgjedhur një partner për shkak se një tjetër person e ka zgjedhur tashmë atë. Me fjalë të tjera, individi kopjon zgjedhjet e të tjerëve.”
“Nëse dikujt tjetër i pëlqen një person, gjasat janë më të mëdha që edhe ju të ndjeni tërheqje, sepse ai person tërheq më shumë njerëz dhe jo vetëm ju. Kjo mund të tingëllojë e thjeshtuar, por ka prova biologjike”, shtoi ajo, transmeton Telegrafi.
Rrënjët evolutive të tërheqjes
Ky fenomen është dokumentuar te shumë specie, nga peshqit dhe zogjtë deri te primatët, konfirmon psikologia e marrëdhënieve Limor Gottlieb. Sipas saj, nëse një burrë është “zgjedhur” tashmë nga një grua, kjo sinjalizon se ai zotëron cilësi të dëshirueshme dhe është partner “i vlefshëm”.
Edhe pse fenomeni vlen si për burrat, ashtu edhe për gratë, Gottlieb thotë se gratë janë më të ndjeshme ndaj këtij ndikimi:
“Në mjedisin tonë prehistorik, zgjedhja e partnerit ishte një vendim me rrezik të lartë për shkak të investimit të madh amësor, nga shtatzënia, lindja e deri te vitet e rritjes së fëmijës. Kësisoj, gratë kërkonin tek burrat cilësi të fshehura dhe shenja si përkushtimi, besnikëria, aftësia për të siguruar siguri dhe inteligjenca, të cilat nuk duken menjëherë.”
Nga ana tjetër, sipas saj, burrat janë fokusuar më shumë te shenjat e dukshme si rinia dhe shëndeti. Prandaj zgjedhja e partnerit nga gratë është më e ndjeshme ndaj ndikimit shoqëror, ndërsa ajo e burrave është më shumë e kalibruar vizualisht.
Kur kopjimi i zgjedhjes bëhet kurth
Skinner vëren se personat me më pak përvojë në marrëdhënie ose ata që kërkojnë shpesh konfirmim nga të tjerët janë më të prirë ndaj këtij fenomeni. Megjithatë, kjo sjell edhe rreziqe.
“Mund të ndihmojë në përshpejtimin e vendimmarrjes, por nuk garanton përputhshmëri,” paralajmëron Gottlieb. “Dikush mund të duket i dëshirueshëm në publik, por të mos jetë partner i shëndetshëm afatgjatë në privatësi.”
Çdo marrëdhënie e qëndrueshme, thekson ajo, kërkon vlera të përbashkëta dhe përkushtim.
“Pa përmendur faktin se, nëse dikush lë partnerin për ju, ekziston gjithmonë rreziku që ta përsërisë këtë sjellje.”
Nëse veprimi bazohet tek “kopjimi i zgjedhjes”, kjo kalon në të ashtuquajturin “gjueti partnerësh”, një përpjekje aktive për të marrë partnerin e dikujt tjetër. Gottlieb shton se një e pesta e lidhjeve të reja fillon pikërisht në këtë mënyrë.
“Ata që merren me ‘gjueti partnerësh’ rezultojnë më të lartë në narcizëm, ekstraversion, tradhti dhe hapje ndaj përvojave të reja,” përfundon ajo, duke e cilësuar këtë si një strategji afatshkurtër. /Telegrafi/